Sport

Ajdareviq bashkohet me kombëtaren shqiptare

Një tjetër yll i bashkohet Shqipërisë. Mesfushori i AEK-ut, Astrit Ajdareviq i lindur në Prishtinë dhe i rritur në Skandinavi i ka thënë po trajneri Panucci dhe tanimë është gati të bashkohet me skuadrën kuqezi.

Në një intervistë për Supersport mesfushori shtatlartë ka pohuar se është një ëndërr që realizohet për Ajdareviq.

“Vendosa të zgjedh Shqipërinë, u mendova gjatë. Kam zgjedh vërtetë me zemër, sepse unë më parë kam luajtur edhe me Suedinë deri në 21 vjeç. Kam folur 2 muaj me parë me drejtuesit e Shqipërisë. Nuk ishte vendim i lehtë, por tani e kam vendosur dhe do jem pjesë e Shqipërisë. Nuk kam ardhur më parë në Shqipëri, por mezi po pres. Kudo që kam qenë kam thënë jam shqiptar dhe tani do të vazhdoj të jem zyrtarisht”, ka deklaruar Astrit Ajdareviq.

Mesfushori 1.92 m luan aktualisht në Athinë me AEK, ndërkohë që më parë është aktivizuar me Liverpool, Leicester City dhe Standard Liege.

Ajdaroviq do të bashkohet me kuqezinjtë që në miqësoren me Turqinë.