Sport

Xhaka kërkon kujdes në FA Cup

Mesfushori Granit Xhaka ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij të Arsenalit që të kenë kujdes në çerekfinalen e FA Cup ndaj ekipit të vogël Lincoln City nëse duan që të mos befasohen në kupë.

Arsenali do të kërkojë t’i kthehet fitoreve pas humbjeve nga Liverpooli dhe Bayern Munichu, por Xhaka ka thënë se kalimi në gjysmëfinale të kupës nuk është i garantuar.

“Ka shumë befasi nëpër gara të kupave, këtë e kemi parë edhe në FA Cup”, ka thënë mesfushori shqiptar.

“Duhet të jepni më të mirën ndaj të gjitha ekipeve, pa marrë parasysh nëse janë në ligën e dytë, të katërtën apo të pestën. Në futboll, gjërat mund të ndodhin shpejtë. Kundër ekipeve të vogla, nëse shënojnë gol, mund të jetë e vështirë për kundërshtarin. Kupa është e mirë për befasi, por ne jemi përballur mirë deri më tani”.