Sport

Futsall, Liburni i gatshëm për “Main Round”

Kampioni i Kosovës në futsall, Liburni i Gjakovës, është i gatshëm për "Main Round" në UEFA Futsal Cup, pasi me sukses ka kaluar raundin parakualifikues.

Liburni, të martën, ka marrë rrugën drejt Zagrebit, ku do t'i zhvillojë ndeshjet e këtij raundi në kuadër të Grupit 5, në të cilin bëjnë pjesë edhe Nacional Zagreb (Kroaci), Garges Djibson (Francë) e FC Leo (Armeni), shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë raund, Liburni ka marrë edhe tri përforcime, portierin Bajram Ramadani dhe lojtarët Mentor Mejzini e Narcis Alibegu. Ndeshjen e parë, Liburni do ta luajë kundër ekipit francez të enjten (12 tetor) prej orës 18:00. Një ditë më vonë, do të përballet me ekipin kroat (20:30), kurse të dielën do ta zhvillojë ndeshjen e fundit ndaj FC Leo (18:00). Vetëm vendi i parë në grup kualifikohet për fazën tjetër.

Për Liburnin kjo është paraqitja e parë në UEFA Futsal Cup, kurse për futsallin e Kosovës e dyta. Vitin e shkuar, ekipi nga Drenasi, Feniksi, pati arritur deri në "Elite Round" apo në mesin e 16 ekipeve më të mira.