Sport

Certifikohen trajnerët e xhudos

Është mbyllur niveli i dytë për trajnimin e trajnerëve të xhudos, që u mbajt për disa ditë në sallën e xhudos në Pejë.

Ky kurs që është organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ka nisur të hënën, ndërsa u mbyll sot pasdite me certifikimin e trajnerëve.

Dhjetëra trajnerë të klubeve të ndryshme më ftesë të Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK), ka qenë pjesë e këtij trajnimi të rëndësishme për trajnerë, ku ligjërues ishte eksperti ndërkombëtar nga Kroacia, Tomislav Marinajoviq, shkruan KP.

Ky është trajnimi i tretë këtë vit që organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës në mbështetje të Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, për ciklin olimpik, 2017 - 2020.

Javë më parë, trajnimi u mbajt për Federatën e Boksit të Kosovës dhe atë të Volejbollit.

Shasivar Haxhijaj, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, uroi trajnerët për të arriturat në këtë kurs, derisa shtoi se gjerat që i kanë mësuar gjatë këtyre ditëve, t’i zbatojnë tek sportistët në mënyrë që në të ardhmen sportistët tonë t’i sjellin edhe më shumë medalje vendit tonë.

“Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe në emër timin personal, më lejoni të ju uroj për sukseset që i keni arritur, por të njëjtën kohë të ju uroj edhe për ato që i keni mësuar gjatë këtyre ditëve të trajnimit të trajnerëve që në fakt është federata e parë në Kosovë që ka filluar nivelin e dytë të trajnimit të trajnerëve, sepse nivelin e parë e keni përfunduar vitin e kaluar, duke uruar që ato që i keni përvetësuar qoftë pjesën teorike dhe atë praktike t’i zbatoi të sportistët e juaj, e pse jo në të ardhmen sportistët e juaj të na sjellin edhe më shumë medalje”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ky është kursi i tretë për trajnerë të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, pasi më parë ka organizuar dy kurse. I pari për trajnerë të boksit, kurse, i dyti për trajnerë të volejbollit. Sipas Haxhijajt, KOK deri në fund të këtij viti, do të organizojë edhe tetë kurse tjera për federata tjera.

Ndërkaq, ligjëruesi i këtij kursi, kroati Tomislav Marijanoviq tha se ndihet i lumtur që gjatë këtyre ditëve ka punuar më një numër kaq të madh trajnerësh. Ai thotë se Kosova gëzon pamje të mirë në botën e xhudos, dhe ai kërkoi nga trajnerët që ta mbajnë Kosovën në këtë në të cilën ndodhet tash.

“Erdhëm në fund të këtij kursi për trajner. Më vjen mirë që kam punuar me të gjithë juve. Më vjen mirë të shoh një numër të madh të trajnerëve në Kosovë. Falënderoj Komitetin Olimpik të Kosovës. Është me rëndësi që të mbani Kosovën në këtë rang në të cilin është tash dhe ta ngritni edhe për një shkallë më shumë. Kosova gëzon një pamje të mirë në botën e xhudos dhe ju takon juve trajnerëve që ta mbani këtu dhe kini të gjitha kushtet dhe ju takon juve të vazhdoni punën”, tha kroati Marijanoviq.

Edhe trajnerët u shprehen të kënaqur më rrjedhën dhe punën që është bërë gjatë këtyre ditëve në kursin për trajnerë të xhudos.