Sport

Shqipëri – Itali, shiten të gjitha biletat

Ndërsa Shqipëria ishte e përqendruar te dueli në Spanjë, vëmendja e tifozëve kuqezi nuk ishte vetëm në Alikante, por edhe për ndeshjen e 9 tetorit me Italinë.

Të gjitha biletat në “Loro Boriçi” për sfidën e së hënës ndaj “të kaltërve” janë shitur në kohë rekord, raporton Supersport. Nga blerjet online, për të vazhduar me biletat e tribunave C dhe E, të fundit që ishin në dispozicion në dyqanin zyrtar të Federatës së Futbollit, me çmimin simbolik prej 1,000 lekësh të reja.

Biletat përfunduan kur kishin mbetur më tepër se 72 orë nga nisja e ndeshjes, ndërsa mbetet ende e lart kërkesa për të parë ndeshjen e parë në histori, ku kombëtarja shqiptare do të presë në shtëpi Italinë.

Në Shkodër, Shqipëria do të ketë mbështetjen maksimale të tifozëve, me stadiumin që do të jetë i mbushur me kapacitet të plot prej më tepër se 16 mijë vende.

Për vetë sfidën ndaj Italisë, mbyllja e kualifikueseve të Botërorit 2018 do të jetë emocionuese për Shqipërinë dhe tifozët kuqezi, që pse jo, ëndërrojnë të regjistrojnë një fitore historike përballë “të kaltërve”, katër herë kampionë të botës.