Sport

Barcelona diskuton mundësinë e largimit nga La Liga, opsion Premier Liga e Serie A

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka thënë se klubi do të diskutojë mundësinë e largimit nga La Liga nëse Katalonia ndahet nga Spanja.

Një referendum në Kataloni, i cili nga Spanja u cilësua si i ndaluar, detyroi Barcelonën të luante me dyer të mbyllura ndaj Las Palmasit në fundjavë për shkaqe sigurie.

“Kjo situatë akoma s’ka arritur. Por nëse diçka ndodh, bordi duhet ta diskutojë. Duhet të analizojmë qetësisht. Nëse diskutojmë mirë do të gjejmë zgjidhjen e duhur. Por nëse pavarësia ndodh, bordi do të shohë situatën”, ka thënë Bartomeu.

Ministri i Sportit në Kataloni, Gerard Figueres, ka deklaruar se Barcelona mund të luajë në ligat tjera më të forta evropiane duke përmendur Swansean si një klub nga Uellsi që luan në Premier Ligën angleze.

“Nëse shpallet pavarësia, klubet katalonase që luajnë në La Ligë – Barcelona, Espanyoli dhe Girona – do të vendosin ku duan të luajnë: në ligë të Spanjës apo diku tjetër si Italia, Franca apo Premier Liga”, ka thënë Figueres duke shtuar se nuk pret që UEFA të ketë ndonjë gjë kundër kësaj çështjeje.