Sport

Napoli siguron kreun e Serie A pas fitores ndaj Cagliarit

Skuadra e Napolit ka arritur fitoren e radhës në Serie A, këtë herë me rezultat bindës prej 3-0 ndaj Cagliarit.

Marek Hamsik ishte i pari që qysh në minutën e 4-të tregoi se në këtë ndeshje skuadra e tij kishte hyrë për 3 pikët e plota në ‘San Paolo’.

5 minuta pa përfunduar pjesa e parë, një penalti e akorduar në të mirë të ‘Napolitanëve’ u konkretizua nga Dries Mertens (40’) për rezultatin 2-0, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Dominimi i vendasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku liderët e Serie A arritën që ta shënonin edhe një gol, dhe atë e arritën me anë të mbrojtësit Kalidou Koulibaly (47’), për rezultatin final të ndeshjes, 3-0.

Kjo ishte fitorja e shtatë në shtatë ndeshje për Napolin, të cilët kryesojnë tabelën e Serie A me 21 pikë të grumbulluara, ndërsa Cagliari mbetet në kuotën e gjashtë pikëve.

Juventus është në pozitën e dytë, me 18 pikë të tubuara, ndërsa në orën 20:45 i shkon mysafire Atalantas.