Sport

Kampionia në krizë, pëson në shtëpi

Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Trepça '89, e ka pësuar disfatën e dytë rresht dhe atë brenda pesë ditëve.

Pas humbjes në mesjavë nga Vllaznia e Pozheranit me shifrat 2:1, 89-shi me të njëjtin rezultat pësoi edhe të dielën nga Gjilani, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, në kuadër të xhiros së pestë të Vala Superligës së Kosovës në futboll.

Me këtë humbje Trepça '89 ka rënë në pozitën e tetë me gjashtë pikë, kurse Gjilani është ngritur në vendin e tretë me nëntë pikë, dy më pak se lideri Llapi.

Trajneri Sabit Osmani, që drejtoi skuadrën pas shkarkimit të Zekirija Ramadanit, pranoi se Trepça '89 është në krizë të rezultateve. Por ai pret që ekipi të dalë shpejt nga kjo situatë.

“Jemi kampion në fuqi dhe nga ne kërkohet një ndeshje e mirë me gola shumë. Por këta futbollistë janë të ri dhe kanë hyrë në presion. Unë kam besim se shpejt edhe do të dalin nga ky presion. Kriza në çdo skuadër ndodh dhe besoj se shpejt do të dalim. Në ndeshje kemi pasur gabime, por të gjitha janë normale në një lojë futbolli. Në pjesën e dytë patëm kundër edhe erën. Besoj se shpejt do të dalim nga kjo situatë”, ka thënë Osmani... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.