Sportet luftarake mbesin akoma sportet që më së shumti i sjellin e Kosovës medalje.
Janë kik-boksierët ata që në Kosovë sjellin dy medalje. Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur të fitojë dy medalje të bronzta në Kampionatin e Kick Box-it që është mbajtur në Shkup, të Maqedonisë, për kadetë dhe junior.
Arbër Salihu ka fituar medalje në kategorinë ‘loë kick’ deri në 57 kilogramë, dhe Bleron Luzha në kategorinë ‘kick light’ deri në 94 kilogramë.
Në këtë kampionat, Kosova është paraqitur me 14 garues, prej të cilëve 10 ishin meshkuj, dhe 4 femra.
Drejtuesit e Federatës së Kik-Boksit të Kosovës, të mërkurën në një takim me media, janë shprehur të kënaqur me paraqitjen dhe rezultatet e arritura te sportistëve tonë në Kampionatin e Kik-Boksit të mbajtur në Shkup.
Sipas kryetarit të Federatës së Kick Box-it, Fatmir Makolli, rezultatet e arritura nga kik boksierët tanë, duke fituar dy medalje të bronzta, shënojnë një sukses shumë të madh për Kosovën, pasi në Kampionatin Evropian, kanë marrë pjesë 37 shtete, dhe gjithsej 1600 garues.
“Sportistat tonë mjaft mirë dhe mjaft denjësisht janë paraqitë në këtë kampionat, ku kemi arrit edhe suksese. Të jesh pjesëmarrës ku janë edhe 37 shtete, besoj që është ky një rezultat shumë i madh. Kanë qenë 1600 garues pjesëmarrës në Kampionat Evropian, ku garuesit tonë, e thash edhe ma herët janë paraqitë shumë mirë dhe kemi arrit që të stolisemi edhe me dy medalje të bronzta”, ka thënë Makolli.
Edhe trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Ilir Menxhiqi, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e kik boksierëve te përfaqësues sonë në Kampionatin Evropian, duke theksuar se me punë ata do të arrijnë edhe shumë suksese të tjera.
“Unë prej garuesve tanë që kanë marrë pjesë jam ndarë i kënaqur me ta, duke pas parasysh konkurrencën dhe përvojën e kundërshtarëve që marrin pjesë në atë kampionat. Neve na mbetet punë ma shumë për të ardhmen edhe besoj se sukseset nuk kanë me na munguar”, theksoi Menxhiqi.
Ndërkaq, për medalistin e Kosovës, Bleron Luzha, në Kampionatin Evropian kishte konkurrencë të fortë, por që ai arriti t’i bëjë ballë asaj, dhe të stoliset me medaljen e bronztë.
“Ishte hera e parë që mora pjesë në një Kampionat Evropian, ishte një konkurrencë e madhe, kishte 37 shtete, por mora një medalje të bronztë, dhe falënderoj edhe kryetarin për përzgjedhjen që e ka bo për me shkuar atje, falënderoj trajnerët e klubit ‘Kastrioti’ që e kanë ba një punë shumë të madhe për me na përgatit për Kampionatin Evropian”, është shprehur Luzha.
Krejt në fund, kreu i Federatës së Kick Box-it të Kosovës, Makolli, gjithashtu theksoi se dy garues të Kosovës nuk arritën të paraqiten në Kampionatin Evropian për shkak të një keqkuptimi.
-
13 shtator 2017 16:56
-
Shpërndaje në: