Sport

Kampionet e hendbollit të pashpresa në Evropë

Tjetër dëshpërim nga kampionia e Kosovës, Prishtina, në arenën ndërkombëtare.

Hendbollistet e Prishtinës kanë pësuar disfatë të thellë në duel me skuadrën zvicerane, Bruhl, në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë të Kupës së EHF-së.

Prishtinaset nuk ishin kundërshtare të denja për asnjë moment me zviceranet të cilat dominuan absolutisht gjatë tërë ndeshjes dhe në fund fituan 34:11, transmeton Sporti në KTV.

Skuadra zvicerane e mbylli dilemën e fituesit qysh në pjesën e parë të cilën e mbylli me plotë 9 gola dallim, 16:7.

Edhe në pjesën e dytë, kampionia e Zvicrës u tregua skuadër fantastike në fazën e sulmit duke shënuar nga çdo pozitë.

Në fund takimi u përmbyll 34:11 në favor të klubit zviceran, që kësisoj siguron kualifikimin më tej që në ndeshjen e parë.

E vetmja që u dallua te Prishtina ishte Florentina Prelvukaj që realizoi 6 gola, më shumë se gjysma e golave të ekipit kosovar. Te mysafiret më e efektshmja ishte Zerin Oezcelik me 9 gola.

Ndeshja e dytë ndërmjet dy skuadrave sërish do të zhvillohet në Prishtinë, të dielën prej orës, 15:00.

Rezultati i takimit të parë nuk lë hapësirë për shpresë te kampionet e Kosovës, që për vitin e dytë rresht turpërohen në garat evropiane