Sport

Klopp: Qëndrimi i Coutinhos është ajo që donte Liverpooli

Jurgen Klopp ka pohuar se Liverpooli arriti “fiks situatën që donte” pas qëndrimit të Philippe Coutinhos te klubi anglez.

25-vjeçari bëri kërkesë zyrtare për largim nga Anfieldi me qëllim që të transferohej te Barcelona gjatë verës, por Liverpooli refuzoi ofertën prej 150 milionë eurove që kishte dërguar klubi spanjoll për të.

Barça shpenzoi 120 milionë për Ousmane Dembelen e Borussia Dortmundit, por menaxheri i Liverpoolit ka insistuar se Coutinho do të jetë i mirëpritur në ekipin e tij.

“Ne kishim një situatë dhe Dortmundi një tjetër”, ka thënë Klopp kur është pyetur për dështimin e Barcelonës që të transferonte Coutinhon.

“Mos besoni çdo gjë që shkruajnë mediat ose kishte oferta atje e këtu. Nuk jemi si George Orwell ku të gjithë dinë gjithçka. Ne kishim një situatë që donim ta kishim”, ka thënë Klopp.

“Dortmundi vendosi se lojtari duhej të largohej, prandaj nuk mund të krahasoj këto situata. Ne kemi një lojtar të mirë që mund të luajë me ne”.