Sport

Duka kërkon maksimumin ndaj Lihtenshtajnit, Cikalleshi gaboi

Nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira, të gjitha përballjet janë të rëndësishme dhe duhet të vlerësohen maksimalisht.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka kërkon që skuadra të jetë e përqendruar dhe të fokusohet vetëm te ndeshja e parë kundër Lihtenshtajnit.

“Gjithmonë kam qenë pranë ekipit kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme prandaj duhet të jemi të gjithë shumë të angazhuar dhe për të dhënë një mesazh për rëndësinë e madhe që ka kjo ndeshje. Lojtarëve u kam thënë se duhet të mendojmë vetëm për Lihtenshtajnin dhe më pas të mendojmë për gjëra të tjera. Nuk ka kundërshtarë të dobët sot në futboll. Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme dhe mund të arrijmë rezultat pozitiv vetëm nëse japim më shumë se 100 % dhe më pas të mendojmë për Maqedoninë”, shprehet Duka, raporton TCH.

Në vijim, Duka jep një përshtypje edhe për punën që po bën trajneri Panucci dhe bën një krahasim mes tij e De Biasit, por ndalet edhe te prurjet e reja në Kombëtaren shqiptare.

“Kam parë një lloj motivimi dhe një energji më shumë nga Panucci. Me ulërima nuk janë keq të dy por te fitorja të çon menaxhimi me mençuri. Të gjithë lojtarët e rinj kam dëshirë t’i shikoj në fushë lojtarët e rinj. Është mirë që u është dhënë kjo mundësi”, thotë ai.

Në fund, një koment edhe për çështjen “Cikalleshi” ku Duka i jep të drejtë numrit 1 të stolit.

“Cikalleshi është një nga lojtarët që ka dhënë shumë për këtë skuadër dhe shumë i disiplinuar. Kam komunikuar me të dy dhe i kam thënë se këtë radhë ka gabuar dhe duhet të respektojë vendimin e trajnerit por i kam thënë se me një gol kundër Spanjës mund t’i shlyejë të gjitha”, thotë Duka.