Sport

Kuka: Kelmendi u lëndua, do të kthehet edhe më e fuqishme

Driton Kuka, trajneri i xhudistes Majlinda Kelmendi e cila nuk arriti të marrë medalje në Kampionatin Botëror, ka deklaruar se në përballjen e fundit kampionia olimpike ka pësuar lëndim.

Kelmendi u mposht në gjysmëfinale nga japonezja Ai Shishime, ndërsa në luftën për të bronztën u mposht nga braziliania Erika Miranda.

Pas humbjes, Kuka ka shkruar se Kelmendi do të kthehet edhe më e fuqishme.

“Majlinda sot fitoj 3 lufta dhe arriti në gjysmëfinale ku pësoi nga japonezja Shishime! Shpresoj që të mos jetë diç serioze por për medalje të bronztë pësoj humbje por edhe si duket u lëndua! Vendi 5 në Botëror për Kampionen Tonë Olimpike,jo siç kam parapa që të fitoj medalje por sporti e ka kështu do kthehet Majlinda ashtu siç din edhe ma e fuqishme”, ka shkruar ai në Facebook.

Kuka po ashtu ka thënë se edhe xhudistja tjetër Distria Krasniqi do të nxjerrë rezultate më të mira në të ardhmen. Krasniqi doli në pozitën e shtatë në këtë kampionat.

“Distria për herë të parë pati plasman dhe u rendit e 7 që është plasman i mirë por Distria ka potencial për më shumë”, ka shtuar ai.

Nesër në Botëror garojnë Nora dhe Akil Gjakova.