Sport

Mourinho nuk e di kur do të rikthehet Ibra

Descriptive Text

Menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, ka refuzuar të tregojë ndonjë datë për rikthimin e Zlatan Ibrahimoviqit nga lëndimi.

35-vjeçari ka munguar në pjesën e fundit të sezonit të kaluar pasi pësoi një lëndim serioz në gju.

Unitedi i zgjati kontratën Ibrës edhe për një vit, derisa suedezi po vazhdon rehabilitimin nga lëndimi.

Ishte raportuar se shtatlarti do të rikthehet në fillim të muajit tetor, por Mourinho ka paralajmëruar se suedezi nuk do të luajë deri në fillim të vitit 2018.

“Nuk jam duke menduar për këtë gjë, as që kam pyetur ekipin mjekësor për këtë gjë”, ka thënë Mourinho.

“Ai do të jetë përforcim shtesë për pjesën e dytë të sezonit që për mua është janari, por nuk kam ide dhe mendoj se më e mira është që ai të vazhdojë punën e tij hap pas hapi”, ka shtuar ai.

“Nuk do të jetë gati për fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Kemi vend për të në listën e lojtarëve për Champions, por nuk mendoj se Zlatani do të luajë në fazën e grupeve, shpresoj të luajë në fazën e eliminimit, nëse ne përfundojmë në top-dy”.