Sport

Memolla tregon përvojën me Rooneyn

Descriptive Text

Mbrojtësi shqiptar Hysen Memolla ka zbuluar se si ka qëndruar dhe ka biseduar me sulmuesin anglez Wayne Rooney në dhomën e dopingut të stadiumit “Goodison Park”, pas përfundimit të ndeshjes mes Evertonit dhe Hajdukut kroat, javën e shkuar në kuadër të plejofit për Ligën e Evropës.

Hajduku i Splitit në ndeshjen e parë në udhëtim pësoi humbje 2:0 nga Evertoni derisa Memolla është aktivizuar gjatë tërë ndeshjes, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai ka thënë se ishte shtangur kur ishte futur në dhomën e dopingut dhe kishte parë Rooneyn ulur.

“Nuk më besohej që ishte ai, eca dhe u ula. Kisha turp të flisja ndonjë gjë, pasi kur isha fëmijë e admiroja si një tifoz i Manchester Unitedit dhe tani e kisha ulur para meje”, ka thënë Memolla. “Pas pak sekondash, Rooney më pa dokumentet dhe filluam të flisnim dhe qeshnim. Ai ishte shumë i komunikueshëm dhe me pyeti për të gjitha. Kemi ngrënë pica dhe kemi pirë, por pjesën më të madhe të kohës biseduam”.

Hajduku ndeshjen e kthimit kundër Evertonit e luan të enjten (sot) në Split, në stadiumin që pritet të jetë i stërmbushur.

25-vjeçari Memolla edicionin e shkuar është kritikuar nga tifozët për paraqitjet e tij te Hajduku, ndërsa këtë edicion është ndër më të mirët. Ai pritet të ftohet nga seleksionuesi i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci për ndeshjet eliminatore të botërorit “Rusia 2018”, që zhvillohen në muajin e ardhshëm.