(KD) – Futbollistet e përfaqësueses së Kosovës do të mblidhen të hënën për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji. Kosova po përgatitet për debutim në Ligën e Kombeve të UEFA-s dhe do të ketë dy teste të tjera në ditët e ardhshme. Më 13 dhe 16 korrik, përfaqësuesja e Kosovës luan miqësore me Lihtenshtajnin. Të dy ndeshjet do të zhvillohet në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.
Ndeshja e 13 korrikut zhvillohet prej orës 18:30, ndërsa ajo e 16 korrikut prej orës 11:30.
Përzgjedhësja Anneli Andersen ka ftuar 24 futbolliste për dy ndeshjet me Lihtenshtajnin. Por nuk ka ndonjë emër të ri në përfaqësuese. Trajnerja suedeze llogarit në lojtaret tashmë të konfirmuara të Kosovës. 12 prej lojtareve janë të klubeve të vendit. Ndërkohë 12 të tjera bëjnë karrierë në klube evropiane si dhe në Shqipëri te Vllaznia e Shkodrës. Pak lojtare luajnë në nivel të lartë evropian. Kapitenia Erëleta Memeti është në Bundesligë te Hoffenheimi.
Kosova ka kohë që luan vetëm miqësore. Ndeshjet e fundit garuese i kishte në shtator të vitit të kaluar. Në nëntor, shkurt dhe prill i ka luajtur gjashtë ndeshje miqësore. Në prill e fitoi një turne në Sofje të Bullgarisë. Fitoi 1:0 ndaj Letonisë dhe ndaj Bullgarisë.
Më 26 shtator futbollistet e Kosovës e luajnë ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Liga e Kombeve zhvillohet për herë të parë për futbolliste. Kosova luan në udhëtim ndaj Bullgarisë, ndërsa më 27 tetor luan sërish në udhëtim, ndaj Maqedonisë së Veriut. Maqedoninë e Veriut e pret menjëherë më 31 tetor, ndërsa më 1 dhjetor e pret Bullgarinë.
Kosova është në Ligën C, që i bie të jetë niveli i tretë. Synon kalimin në Ligën B.
Lihtenshtajni është përfaqësuese shumë e re. Ndeshjen e parë miqësore jozyrtare e ka luajtur në vitin 2019. Ndërkohë ndeshjen e parë zyrtare miqësore e ka luajtur më 11 prill të vitit 2021. Në vitin 2021 kishte tri fitore ndaj Gjibraltarit, ndërsa pësoi tri humbje, nga Luksemburgu, Andorra dhe Gjibraltari. Vjet i humbi tri miqësore. Pësoi nga Andorra dhe në dy raste nga Qiproja. Kundërshtari i ardhshëm i Kosovës nuk ka luajtur ende ndeshje kualifikuese.
Futbollistet e Kosovës
Alma Demiri, Lavdije Behramaj, Besarta Leci, Merita Bajrami, Leonora Ejupi, Feride Kastrati, Blerta Smaili, Viola Avduli, Rrezona Ramadani, Gresa Berisha, Edona Kryeziu, Albulena Fejza, Loreta Lulaj, Donjeta Halilaj, Lumbardha Misini, Blerta Shala, Kaltrina Biqkaj, Valentina Limani, Modesta Uka, Albulena Guri, Erëleta Memeti, Elizabeta Ejupi, Egzona Zeka, Jehona Shala
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.