Sport

Haller pranë titullit me Dortmundin pas trajtimit të kancerit

Descriptive Text

Nga trajtimi i kancerit, në prag të titullit të kampionit në ligën e Gjermanisë. Sulmuesi Sebastien Haller po kalon një edicion të jashtëzakonshëm.

Haller u diagnostikua me kancer në testikuj në muajin korrik, disa javë pas nënshkrimit me Borussia Dortmundin. Ai jo vetëm që u kthye në lojë, por ka shënuar gola vendimtarë për ta ofruar Dortmundin te titulli. Dortmundi është vetëm një ndeshje larg që ta përfundojë dominimin dhjetëvjeçar të Bayern Munichut sa u përket titujve në Bundesligë.

“Nëse dikush do të më kishte thënë gjashtë muaj më parë se do të isha në këtë pozitë, nuk do ta kisha besuar”, ka pranuar Haller, i cili shënoi dy gola në fitoren 3:0 ndaj Augsburgut , të dielën, për ta kthyer Dortmundin në pozitën e parë në tabelë.

“Mendoj se është një mundësi e madhe, jo vetëm për mua, por edhe për ekipin. Mendoj se kemi investuar shumë në këtë dhe tani kemi një shans të madh për të arritur diçka të madhe”.

Gjashtë muaj më parë, në nëntor, Haller po i nënshtrohej operacionit të dytë si pjesë e trajtimit të kancerit. Kujdesi përfshinte gjithashtu katër cikle kimioterapie, ku secili do të thoshte pesë ditë në një shtrat spitalor.

Kur Haller u kthye në stërvitje më 3 janar, u fol për një proces të gjatë dhe gradual përpara se të kthehej në ekip. Dhjetë ditë më pas ai shënoi “hat-trick” brenda shtatë minutave në një ndeshje miqësore kundër klubit zviceran, Basel. Nëntë ditë pas asaj ndeshjeje, ai bëri debutim në minutat e fundit të një takimi në Bundesligë për Dortmundin.

“Me kthimin tim shpresoj se mund të jap një shtysë drejt titullit të kampionit”, tha Haller atëbotë.

Duket që Haller përfundimisht i ka dhënë skuadrës së tij një shtytje drejt këtij suksesi. Që nga kthimi i Hallerit, Dortmundi është shndërruar në favorit për titull. Dortmundi ishte në vendin e gjashtë dhe nëntë pikë larg Bayernit në pushimin dimëror. Që atëherë, në 18 ndeshje të Bundesligës me Hallerin në fushë, Dortmundi ka fituar 14, ka barazuar tri dhe ka humbur një.

Sulmuesi i Bregut të Fildishtë ka nëntë gola të shënuar, përfshirë pesë në tri ndeshjet e fundit, dhe ka luajtur rol kyç duke krijuar hapësira dhe shanse për sulmuesit e tjerë, si Donyell Malen dhe Karim Adeyemi. Në duelin e fundit kundër Augsburgut, Dortmundi e mbylli pjesën e parë me rezultat 0:0, pavarësisht se kishte pasur shumë raste shënimi dhe ekipi kundërshtar e kishte një lojtar të përjashtuar. Dortmundi kishte lënë vazhdimisht pikë këtë edicion, duke barazuar me skuadrat e renditura në pjesën e poshtme të tabelës, si Schalke dhe Bochum. Po të bënte një gjë të tillë kundër Ausgburgut, do t'i kushtonte me humbjen e shansit për të tejkaluar Bayernin, i cili çuditërisht kishte humbur nga Leipzig një ditë më parë.

“Të gjithë e dinin se ky ishte një shans i madh”, tha Haller. “Ne e dinim gjithashtu se humbëm disa shanse në të kaluarën, kështu që u përpoqëm të qëndronim së bashku, të flisnim shumë me njëri-tjetrin, të ishim të sigurt se u qëndronim parimeve tona, të ishim pozitivë dhe të duruar. Mendoj se kjo edhe funksionoi”.

Dy golat e Hallerit kundër Augsburgut treguan instinktin e sulmuesit. Tani Dortmundit i duhet edhe një fitore kundër Mainzit të shtunën për të siguruar titullin e parë gjerman që nga viti 2012, kur trajner ishte Juergen Klopp. Kjo do të ishte arritje e madhe për Hallerin, diçka që paraardhësi i tij si sulmues te Dortmundi, Erling Haaland, nuk ia doli kurrë.

“Ne thjesht duhet t'i përmbahemi parimit, të qëndrojmë së bashku dhe të kërkojmë fitoren që na duhet patjetër për titullin e kampionit. Unë besoj se në fund ne jemi ata që do të festojmë”, ka insistuar Haller.