Sport

Gençoglu paralajmëron kthim të fuqishëm të Trepçës

Trajneri i Trepës, Engin Gençoglu

Trajneri Engin Gençoglu pret që skuadra e tij Trepça ta kthejë epërsinë ndaj Pejës në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Aktualisht pas dy ndeshjeve të zhvilluara rezultati është i barabartë, 1:1. Ndeshja e tretë do të luhet të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndërsa ekipi që fiton do të bëjë një hap të madh drejt titullit të kampionit.

Gençoglu pret që ky ekip të jetë Trepça. Titullin do ta fitojë skuadra që shënon tri fitore në serinë finale, në të cilën mitrovicasit kanë përparësinë e terrenit në ndeshjen e pestë eventuale.

Të dielën Trepça u mposht në palestrën “Karagaçi” në Pejë me rezultatin e thellë 107:79, ndërsa Gençolu pranon se me paraqitjen që tregoi, ekipi i tij nuk ishte as hija e ekipit që triumfoi në ndeshjen e parë (94:86). Ai pret që Trepça të kthehet, të kundërpërgjigjet dhe të reflektojë pas kësaj disfate. Mitrovicasit do ta kenë përkrahjen e fuqishme të publikut vendas, i cili pritet ta stërmbushë palestrën “Minatori”.

“Ne ndeshjen e dytë ne jo vetëm që nuk treguam karakterin tonë të vërtetë, por as disiplinën si ekip. Kështu që në ndeshjen e tretë, të cilën e luajmë në Mitrovicë para tifozëve tanë, pres dhe besoj në reagimin e ekipit tim”, është shprehur Gençoglu të hënën për KOHËN.

“Nëse do të luajmë sikurse në ndeshjen e parë, atëherë do ta fitojmë ndeshjen e së enjtes dhe do të avancojmë në këtë seri finale. Siç e dini, çdo ekip i kampionatit të Kosovës luan me motiv më të madh në shtëpinë e tij, që është normale edhe për Trepçën”.

Gençoglu thotë se gjatë këtyre ditëve do ta përgatitë ekipin për të reaguar, si dhe do të motivojë lojtarët për të treguar një paraqitje fituese. Ai thotë se Trepça në këtë ndeshje do të futet pa menduar fare përparësinë e terrenit vendas.

“Tani seria është barazuar 1:1, pasi të dyja ekipet kanë fituar ndeshjet e para në shtëpi. Duhet të reagojmë dhe të tregojmë një paraqitje të mirë në çdo aspekt dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por ndeshjes do t’i qasemi pa menduar fare për përparësinë e terrenit vendas këtë herë”, ka shtuar Gençoglu.

Trajneri nga Turqia nuk ka vënë ndonjë synim që serisë finale t’i japë fund në ndeshjen e katërt. Në rast se vjen deri te përballja e pestë dhe përfundimtare për titullin e kampionit, atëherë Trepça do të luajë para tifozëve të saj. Ai thotë se ekipi mitrovicas kërkon të shënojë fitore në secilën ndeshje që e luan, ndërsa thotë se tifozët janë gjithmonë me Trepçën, edhe në udhëtim.

“Nuk kemi ndonjë synim të prerë që titullin ta fitojmë me katër apo pesë ndeshje. E them këtë për shkak se ne luajmë për fitore në secilën ndeshje. Po ashtu e dimë shumë mirë se tifozët tanë janë me ne dhe na përkrahin në çdo vend që luajmë. Andaj do të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje”, insistoi Gençoglu.

Skuadra e Trepçës ka kohë që nuk e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës. Është në kërkim të këtij suksesi që nga viti 2012, ndërsa edicionin e kaluar arriti deri në finale ku u mposht nga Golden Eagle Ylli. Për Trepçën kjo është finalja e shtatë në dy edicionet e fundit, duke dëshmuar seriozitetin dhe kthimin e fuqishëm pas ndryshimeve në kryesi.

Edicionin e shkuar, Trepça e fitoi Kupën e Kosovës, sukses që e përsëriti këtë vit pas ardhjes së trajnerit Gençoglu, i cili është në kërkim të trofeut të dytë brenda pak muajve. Trepça e ka fituar edhe Superkupën Mbarëkombëtare, ndërsa u mposht në finalen e Superkupës së Kosovës.