Sport

Distria të hënën në tatami, synohet medalja në Botëror

“Kapacitetet e ekipit të Kosovës në xhudo nuk ka nevojë të përmenden”. Kështu ka shkruar Unioni Evropian i Xhudos në një prej teksteve me të cilat ka paralajmëruar Kampionatin Botëror të Xhudos. Botërori nisi të dielën në Doha të Katarit.

Disa prej kapaciteteve të Kosovës do të shfaqen të hënën, në ditën e dytë të garave. Në tatami do të dalin Distria Krasniqi e Erza Muminoviq, që garojnë në kategorinë deri 52 kilogramë. Distria është pretenduese për medalje, ndërsa Erza synon plasman sa më të mirë.

Ndonëse pas Lojërave Olimpike të Tokios, Distria kaloi nga kategoria deri në 48 kg në atë deri 52 kg, ajo ka arritur në pozitën e dytë në ranglistën botërore në kategorinë e re. Pasi Chelsie Giles nuk është në Botëror, Distria është bartësja e parë në kategori. Dhe rrjedhimisht pretenduese e madhe për medalje.

Në xhiron e dytë Distria do të ketë përballë fituesen e duelit mes Jacira Ferreira të Mozambikut dhe Mascha Ballhaus të Gjermanisë. Gjermanja ka pasur disa suksese së fundmi dhe pritet të jetë përballë Distrisë. Kalimi me sukses i pengesës së parë natyrisht është me shumë vlerë në ngjarjet e mëdha.

Erza Muminoviq në xhiron e parë do të përballet me Aydan Valiyeva të Azerbajxhanit.

Favorite për titull të botës në kategorinë deri 52 kilogramë është japonezja Uta Abe. Ajo vlerësohet fenomen i xhudos, ndërsa në moshën 22-vjeçare ka medalje të artë olimpike dhe tre tituj botërorë. Abe është kampione në fuqi dhe xhudistja që duhet mposhtur.

Amandine Buchard e Francës, Reka Pupp e Hungarisë, Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit po ashtu vlerësohen me gjasa për sukses. Natyrisht në top-treshe të këtij grupi është Distria, kampionia olimpike nga Tokio 2020, në kategorinë deri 48 kilogramë.

Distria e ka përvojën e kampionateve botërore. I ka dy medalje të bronzta nga ngjarja globale. Të fundit e fitoi vjet në Tashkent të Uzbekistanit, në kategorinë deri 52 kg.

“Distria është sfiduese e madhe për titull të kampionit në kategorinë deri 52 kg. Distria është kampione olimpike në kategorinë deri 48 kg. Ajo është hedhëse me stil dhe e fuqishme. Pas të bronztës në Botëror, vitin e kaluar, Distria fitoi të artën në Masters dhe në Grand Slam të Parisit. Distria do të synojë shkallën më të lartë të podiumit në Doha. Për të bërë këtë, me shumë mundësi do t’i duhet ta mposhtë Aben për herë të parë”, ka shkruar Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Në kategorinë deri 52 kilogramë garojnë 46 xhudiste. Gjithsej në Botëror marrin pjesë 657 xhudistë nga 99 shtete. Shtatë prej tyre janë nga Kosova.