Sport

Gabimet e arbitrave zbehin garën për titull në Bundesligë, asnjë ndihmë nga VAR-i

Bundesliga - referat - gabime - Borussia Dortmund

Një gabim i arbitrave mori vëmendjen kryesore në Bundesligë. Ai gabim ndihmoi që Bayern Munichu të rimarrë kreun e tabelës nga Borussia Dortmundi, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të edicionit.

Sistemi VAR nuk ndërhyri për të dhënë penallti në ndeshjen e Dortmundit të premten dhe skuadra e trajnerit Edin Terziq u ndal në barazim 1:1 kundër Bochumit, rezultat që mund të ketë ndikim të madh në garën për titull të kampionit të Gjermanisë.

Federata e Futbollit e Gjermanisë pranoi se gjyqtari Sascha Stegemann duhej ta kishte dhënë penalltinë “pa pasur nevojë për mbështetje nga VAR-i”. Megjithatë, federata nuk tha pse nuk kishte mbështetje nga sistemi VAR në situatën delikate. Stegemann nuk arriti të evidentojë faullin në zonë në minutën e 65-të kur Danilo Soares i Bochumit ndërhyri ndaj Karim Adeyemit nga prapa dhe e rrëzoi sulmuesin e Dortmundit pa e prekur topin. Soares tashmë ishte i ndëshkuar me karton të verdhë dhe mund të përjashtohej me kartonin e dytë të verdhë.

“Ne ndoshta do të shkonim përpara dhe po ashtu do të luanim kundër 10 lojtarëve. Do të ishte një lojë krejtësisht tjetër, të cilën sigurisht se do ta fitonim”, vlerësoi trajneri i Dortmundit, Terziq.

Arbitri Stegemann lejoi që loja të vazhdonte dhe nuk mori asnjë indikacion nga asistenti i tij në dhomën e VAR-it, Robert Hartmann, se do të duhej të vepronte ndryshe. Asistenti i VAR-it është aty për të informuar arbitrin për çdo gabim të qartë dhe rishikimet e xhirimeve më pas mund të përdoren për të rivlerësuar incidentin. Por Hartmann me sa duket mendoi se faulli i mundshëm ndaj Adeyemit nuk ishte një gabim i qartë. Federata nuk u pajtua me këtë.

“Është faull dhe për këtë arsye është një penallti, siç tregojnë edhe pamjet televizive. Pritshmëria duhet të mbetet që ngjarje të tilla të vendosen drejt nga arbitri në fushë”, tha Federata gjermane.

Vendimi ishte një nga tre për të cilët Dortmundi u ankua pasi rrëshqiti në një barazim që lejoi Bayernin të rimarrë kreun e tabelës të dielën.

Stegemann, i cili pranoi “disa gabime” nga zyrtarët e ndeshjes, tha se mund ta kuptonte zemërimin e Dortmundit. Arbitri ka konfirmuar se ai dhe familja e tij tashmë janë kërcënuar me jetë. Kjo bëri që Stegemann të bënte një kallëzim në organet e rendit dhe të kërkonte masa të përkohshme mbrojtjeje. Arbitri tha se po mendon nëse një pushim nga futbolli ka kuptim ose nëse është më mirë të vazhdojë menjëherë me ndarjen e drejtësisë deri në fund të edicionit. Shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke i dënoi kërcënimet ndaj arbitrit Stegemann.

“Të dashur tifozë të futbollit, sigurisht që ne të gjithë jemi ende shumë të zhgënjyer me mënyrën se si shkoi nata e së premtes”, tha Watzke në një deklaratë të publikuar në faqen e klubit. “Ne diskutuam këndvështrimin tonë me arbitrin menjëherë pas ndeshjes dhe ai na siguroi se i vinte keq. Me këtë çështja është mbyllur për ne”.

Nuk pati asnjë koment për këtë çështje nga Bayerni, i cili ka një pikë epërsi ndaj Dortmundit. Bayerni kërkon të fitojë titullin e 11-të radhazi të Bundesligës, për të vendosur rekord të ri. Dortmundi tani duhet të shpresojë për një favor nga Werder Bremeni, Schalke, Leipzigu ose Koelni, nëse dëshiron t'i japë fund mbretërimit 10-vjeçar të Bayernit. Natyrisht Dortmundi duhet të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura kundër Wolfsburgut, Borussia Moenchengladbachut, Augsburgut dhe Mainzit. Pa gabim të Bayernit as kjo nuk mjafton.

“Nuk do të lejojmë asnjë kundërshtar, asnjë arbitër apo ndonjë sëmundje të na ndalojë”, insistoi sulmuesi i ri i Dortmundit, Youssoufa Moukoko, të hënën. "Ne besojmë në titullin e kampionit. Ne jemi të bindur se do ta fitojmë dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund”.