Sport

Bayerni e shikon si ngushëllim një tjetër titull në Bundesligë

Nëse Bayern Munichu e fiton titullin e kampionit në Bundesligë, do të jetë ngushëllim i vogël për atë që ka qenë një edicion zhgënjyes për gjigantin gjerman.

Pasi fitoi dhjetë titujt e fundit, një titull rekord, i 11-i radhazi i ligës, shihet si objektivi minimal për klubin më të madh dhe më të suksesshëm në Gjermani. Bundesliga është objektivi i vetëm i mbetur pas eliminimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Manchester Cityt të mërkurën dhe nga Freiburgu në Kupën e Gjermanisë dy javë më parë.

Megjithatë, nëse sfiduesi më i fuqishëm i Bayernit, Borussia Dortmundi tregohet efikas në javët e fundit, atëherë gara për titull mund të bëhet jashtëzakonisht emocionuese. Këtë Bayerni e dëshironte në edicionin e kaluar, pasi mposhti Dortmundin 3:1 për të kompletuar një dekadë dominimi me një tjetër titull.

Ish-kapiteni, Philipp Lahm, dhe ish-shefi ekzekutiv, Karl-Heinz Rummenigge, ankoheshin për mungesën e rivalëve të denjë në atë kohë. Por as Lahm dhe as Rummenigge nuk e parashikuan rënien e Bayernit. Bavarezët tani kanë 10 pikë më pak se në të njëjtën fazë të ligës vitin e kaluar. Dortmundi, i cili është dy pikë prapa Bayernit në tabelë, kanë një pikë më pak se para një viti. Megjithatë, “verdhezinjtë” nuk kanë pasur kurrë shans më të mirë për të përfituar nga ndonjë gabim i Bayernit për t'i dhënë fund pritjes 11-vjeçare për titull.

Telashet e Bayernit këtë edicion janë gjithashtu të shkaktuara prej vetë klubit. Shefi ekzekutiv Oliver Kahn dhe drejtori sportiv Hasan Salihamixhiq janë nën vëzhgim për vendimin e tyre për të shkarkuar trajnerin Julian Nagelsmann para ndeshjeve vendimtare. Ata thanë se ishin të shqetësuar se klubi nuk do t'i arrinte objektivat këtë edicion. Mirëpo, basti nuk u fitua pasi Bayerni u largua nga dy gara në po aq javë nën drejtimin e trajnerit Thomas Tuchel, i cili ka vetëm dy fitore nga gjashtë ndeshje në të gjitha garat. Tuchel e la në stol kapitenin Thomas Mueller për të dy ndeshjet e Championsit kundër Cityt, kur veterani mund të kishte bërë ndryshimin. Të zhgënjyer me rezultatet, tifozët e Bayernit mbajtën një pankartë të madhe duke kritikuar drejtuesit e klubit në fund të duelit ndaj Cityt: “Synimet mund të mos arrihen, por vlerat e klubit duhet të ruhen”.

Kahn dhe Salihamixhiq po përballen gjithashtu me një hetim për moszëvendësimin e duhur të sulmuesit Robert Lewandowski, i cili u largua në drejtim të Barcelonës para fillimit të këtij edicioni. Sadio Mane pati një fillim të mirë, por nuk i është dhënë shumë hapësirë për të luajtur qëkur u kthye nga lëndimi që e mbajti jashtë kupës së botës “Katari 2022”.

“Mund t’iu premtoj tifozëve se do të kujdesem mirë për këtë klub. Ishte koha e shkurtër, por tani fokusi ynë do të jetë te titulli i Bundesligës”, premtoi Tuchel.

Kahn dhe Salihamixhiq tashmë po përballen edhe me pyetje rreth përforcimeve për edicionin e ardhshëm, kur Tuchel do të ketë më shumë kohë për të imponuar stilin e tij të lojës dhe për të lënë gjurmët në ekip. Por ky edicion nuk ka përfunduar ende, edhe nëse Bayerni do të dëshironte të ketë përfunduar tashmë. Lideri i Bundesligës viziton Mainzin të shtunën, ndërsa Dortmundi pret Eintracht Frankfurtin.