Sport

Bayerni me telashe takohet me Hoffenheimin

Para katër ndeshjeve kur trajner ishte Julian Nagelsmann, Bayern Munichu ishte në garë për ta fituar tripletën. Por nga rezultatet e katër ndeshjeve të fundit, gjasat reale për të triumfuar në ndonjë garë, trajneri i ri, Thomas Tuchel i ka vetëm në Bundesligë.

Bavarezët u eliminuan nga Kupa e Gjermanisë nga Freiburgu. U mposht 3:0 nga Manchester City në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve dhe do t’i duhet mrekullia për ta rikthyer rezultatin javën tjetër në Munich.

Një sezon pa trofe do të ishte dështim, por Bundesliga mbetet e vetmja garë në të cilën Bayerni i ka gjasat më të mira sivjet për të triumfuar.

Bayerni luan kundër Hoffenheimit të shtunën prej orës 15:30 në kuadër të xhiros së 28-të të Bundesligës.

Bayerni është i pari në tabelë me 58 pikë, dy më shumë se Dortmundi i vendit të dytë dhe shtatë më shumë se Union Berlini që është i treti në tabelë.

Hoffenheimi po lufton për të mbetur në elitë sivjet. Është i 14-ti me 28 pikë.

Zhvillime të tjera te Bayerni ka pasur të enjten kur Sadio Mane u suspendua me një ndeshje pasi pati përleshje fizike me Leroy Sanen.

Sfiduesi i Bayernit për titull, Dortmundi, do të luajë si mysafir kundër Stuttgartit, po të shtunën nga ora 15:30.

Trajneri Sebastian Hoeness me Stuttgartin ka fituar në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë ndaj Nurnbergut, ndërsa fitoi edhe në fundjavë kundër Schalkes në ndeshjen e rëndësishme për mbetje në elitë.