Sport

Chelsea pëson për të mbetur në pjesën e dytë të tabelës

Chelsea nuk po arrin assesi të këndellet. Skuadra e Graham Potterit është mposhtur të shtunën në shtëpi nga Aston Villa.

Ollie Watkins dhe John McGinn realizuan golat për fitoren e Villas, 2:0.

Nga 28 ndeshje në këtë sezon, Chelsea në Premier League ka pësuar 10 humbje. Londinezët janë në vendin e 11-të në tabelë me 38 pikë të tubuara.

Aston Villa është e nënta me 41 pikë.


Bournemouthi me fitore të madhe për mbetje në elitë

Bournemouthi ka shënuar fitore të madhe në shtëpi kundër Fulhamit dhe ka bërë hap të madh drejt mbetjes në elitën angleze të futbollit edhe në këtë edicion.

Bournemouthi të shtunën fitoi me rezultatin 2:1, në kuadër të xhiros së 29-të të Premier Leagues, me rikthim të rezultatit.

Andreas Pereira shënoi për 0:1 në minutën e 16-të.

Marcus Tavernier shënoi për barazimin e rezultatit në minutën e 50-të, kurse Dominic Solanke realizoi për golin e fitores në minutën e 79-të.

Bournemouthi shkon në kuotën e 27 pikëve në 28 ndeshje të luajtura dhe zë pozitën e 15-të në tabelë.

Fulhami mbetet me 39 pikë në pozitën e dhjetë.


Brightoni dhe Brentfordi barazojnë në ndeshjen dramatike

Brightoni dhe Brentfordi kanë zhvilluar ndeshje dramatike të shtunën në kuadër të xhiros së 29-të të Premier Leagues së Anglisë.

Brightoni e Brentfordi barazuan me rezultatin 3:3, ndërsa rezultati final u vendos krejt në fund të ndeshjes.

Katër gola u shënuan në pjesën e parë.

Pontus Jansson shënoi në minutën e 10-të për mysafirët, kurse në minutën e 21-të barazoi shifrat Kaoru Mitoma.

Vetëm një minutë më vonë, mysafirët kaluan sërish në epërsi nëpërmjet Ivan Toneyt.

Por në minutën e 28-të, Danny Welbeck barazoi shifrat në 2:2.

Mysafirët sërish krijuan epërsi prej një goli nëpërmjet Ethan Pinnock në minutën e 49-të.

Kur vizitorët po shkonin drejt fitores së madhe, fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën, Alexis Mac Allister, shënoi nga penalltia për rezultatin final, 3:3.

Brightoni e Brentfordi në vendin e gjashtë dhe të shtatë kanë nga 43 pikë secili. Por Brightoni ka dy ndeshje më pak të luajtura.


Ish-kampioni i Premier Leagues thellohet në krizë

Ish-kampioni i Premier Leagues angleze, Leicester City, është thelluar edhe më shumë në krizë, dhe është pranë largimit nga elita angleze këtë edicion.

Leicester City të shtunën u mposht në udhëtim te Crystal Palace me rezultatin 2:1, në xhiron e 29-të, pavarësisht se kishte epërsinë e një goli nga minuta e 56-të, kur shënoi Ricardo Pereira.

Autogoli i Daniel Iversenit vendosi baraspeshë në rezultat, kurse golin e fitores vendësit e shënuan në minutën e katërt të shtesës, nëpërmjet Jean-Philippe Matetas.

Crystal Palace në vendin e 12-të me 29 ndeshje të luajtura ka 30 pikë.

Leicester City me 28 ndeshje ka 25 pikë dhe është në pjesën e poshtme të tabelës.


Wolvesi merr një pikë në fund të ndeshjes

Wolverhamptoni ka marrë një pikë të vlefshme për mbetje në elitën angleze të futbollit në udhëtim te Nottingham Foresti.

Të shtunën në kuadër të xhiros së 29-të, Nottingham Foresti dhe Wolvesi barazuan me rezultatin 1:1.

Të parët që kaluan në epërsi ishin vendësit në minutën e 38-të të ndeshjes. Realizator ishte Brennan Johnson.

Golin e barazimit mysafirët e shënuan me Daniel Podencen, shtatë minuta para fundit.

Wolverhamptoni pas 29 ndeshjeve të luajtura ka 28 pikë dhe zë pozitën e 13-të. Ka një pikë më shumë se Nottinghami i vendit të 14-të.