Sport

Arsenali dominon çmimet e Premier Leagues për këtë muaj

Bukayo Saka është emëruar lojtari i muajit në Premier League pasi ndihmoi Arsenalin të mbetet në krye të Premier Leagues në muajin mars.

“Revolveristët” kanë uruar Sakan, i cili po luan rol vendimtar për skuadrën që është afër triumfit në Premier League këtë sezon.

Arsenali i ka fituar të gjitha katër ndeshjet e ligës në muajin mars.

21-vjeçari në formë tejet të mirë, Saka, ka shënuar tri gola, ndërsa ka dhuruar edhe dy asistime.

Është hera e parë që Saka e fiton këtë çmim.

Martin Odegaard e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të muajit në dhjetor.

Arteta po ashtu është emëruar trajneri më i mirë i këtij muaji.

Është hera e katërt që tekniku spanjoll shpallet më i miri në edicionin 2022/23.

Këtë çmim e kishte fituar në muajin gusht, nëntor-dhjetor dhe në janar.

Arteta bëhet trajneri i tretë në histori të elitës së futbollit anglez, që brenda sezonit e fiton këtë çmim katër herë.

Më herët një sukses të tillë e kishin arritur Pep Guardiola (katër herë në sezonin 2017/18), dhe Juergen Klopp (pesë herë në sezonin 2019/20).