Sport

Joshua synon fitore me nokaut

Boksieri Anthony Joshua do të jetë me peshën më të madhe të karrierës së tij kur të përballet me Jermaine Franklinin në Londër të shtunën mbrëma. Joshua, dy herë kampioni i botës në kategorinë e rëndë, peshoi të premten 115.8 kilogramë, para luftës në “O2 Arena”. Kjo është peshë për gati 5 kg më shumë se në luftën e tij të fundit, që ishte humbja e dytë radhazi nga Oleksandr Usyk, në Arabinë Saudite në gusht të vitit të shkuar. Joshua tha se ai ka ngrënë më shumë dhe është fokusuar më pak në ngritjen e peshave gjatë kampit stërvitor në Dallas, me trajnerin e ri Derrick James.

“Unë kam planin tim, e kam mendjen të fokusuar dhe jam gati për të boksuar”, tha Joshua 33-vjeçar. “E di që peshoj më shumë pasi qëllimi im ishte të shtoj pak peshë gjatë përgatitjeve për këtë luftë tejet të rëndësishme për mua”.

Boksieri britanik po kërkon të kthehet në garë për titullin e botës duke mposhtur Franklinin, i cili peshonte 106.2 kilogramë. Ai ishte 10.5 kg më i lehtë se kur humbi për herë të parë në karrierën e tij në nëntor nga Dillian Whyte. Pas matjeve zyrtare të premten, Joshua është shprehur optimist se do ta mposhtë Franklinin dhe gradualisht do të rikthehet në majë të boksit.

“E di që kam mundësinë e një fitoreje me nokaut, 100 për qind, por ka një proces për të arritur atje. Unë thjesht e ndjek atë proces. Jam i përgatitur dhe do të shkoj deri në fund për të fituar”, shtoi Joshua.

Edhe Franklinit i ka rënë në sy pesha e Joshuas. Megjithatë ai insiston se dëshiron të kthehet te fitorja pas humbjes nga Whyte.

Joshua krahas disfatave nga ukrainasi Usyk është mposhtur edhe nga Andy Ruizi në vitin 2019.

“Po duket që është plotësuar paksa, por unë jam gati për gjithçka. Nuk jam shumë i shqetësuar për peshën e tij apo forcën që ka. Thjesht jam i fokusuar në luftën time dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Jam gati për këtë meç që sigurisht dua ta fitoj”, tha Franklin. “Jam më i lehtë por Joshua do ta ketë shumë të vështirë për të më goditur. Besoj se do të jetë një luftë e ashpër, pasi të dy kërkojmë fitoren për t’u rikthyer”.

Pavarësisht 12 luftërave për titullin e botës, ky mund të shihet si dueli më i rëndësishëm i karrierës së Joshuas. Ai është nën vëzhgim të madh aktualisht dhe karriera e tij po shkon drejt fundit.

“Pas dy humbjeve nga Usyku, të gjithë po e vënë në dyshim aftësinë e Joshuas dhe dëshirën e tij për të boksuar. Ky kapitull apo ky meç është shumë i rëndësishëm për Joshuan dhe ai e ka parasysh këtë. Është përgatitur maksimalisht për të dëshmuar se është gati të kthehet atje ku e ka vendin”, u shpreh promotori i Joshuas, Eddie Hearn, që ishte i pranishëm gjatë matjeve zyrtare të boksierëve.

Joshua është në kërkim të fitores së parë që nga dhjetori i vitit 2020, kur pati mposhtur Kubrat Pulevin. Prej 24 fitoreve, Joshua 22 i ka me ndërprerje.