Sport

Prishtina fiton bindshëm ndeshjen e mbetur ndaj Bashkimit

Sigal Prishtina është rikthyer në pozitën e parë në Superligën e Kosovës, pasi e mposhti Bashkimin në ndeshjen e mbetur të xhiros së 26-të. Dueli i luajtur në palestrën "13 Qershori" në Suharekë, ku Bashkimi ishte vendas, përfundoi me fitoren e thellë të Prishtinës 101:66.

Me këtë triumf, Prishtina kthehet në vendin e parë në tabelë me 48 pikë kur ka mbetur edhe një xhiro deri në fund të pjesës së rregullt të sezonit. Basketbollistët prishtinas ishin dukshëm më të mirë dhe më efikas se ata të Bashkimit, të cilët për asnjë moment nuk rrezikuan fitoren e kryeqytetasve.

Prishtina dominoi prej fillimit deri në fund të ndeshjes, duke i fituar të gjithë çerekët dhe në të shumtën e kohës kishte epërsi mbi 3) pikë, me të cilën edhe e fitoi takimin. Derrick Wilson me 17 pikë e 9 kërcime, i ndjekur nga Dardan Berisha (15) e Lejson Zeqiri (13), ishin më të dalluarit te Prishtina.

Në anën tjetër, te Bashkimi, Daniel Lekndrejaj ishte më efikasi me 15 pikë e 12 kërcime. 15 pikë pati edhe Altin Morina, ndërsa 11 pikë Samardo Samuels, por që nuk arritën ta evitojnë humbjen e thellë. Në xhiron e fundit, para garave të plejofit që luhet këtë vikend, Bashkimi është mysafir i Golden Eagle Yllit, ndërsa Prishtina luan në udhëtim te Ponte Prizreni.