Sport

Hodgson, 75-vjeçar, i vendosur ta mbajë Palacen në Premier League

Descriptive Text

Dhjetë muaj që nga puna e tij e fundit si trajner, nuk ishte e pazakontë që Roy Hodgson të ndalohej në rrugë dhe të pyetej: “A po e shijon pensionin?”.

Megjithatë, Hodgson nuk u ndje kurrë sikur ishte në pension, edhe në moshën 75-vjeçare.

“E di që certifikata ime e lindjes më thotë se jam pensionist”, tha ish-trajneri i Anglisë të enjten duke buzëqeshur. “Por mënyra se si ndihem nuk më thotë në të vërtetë këtë”.

Kur Crystal Palace - dashuria e jetës së tij futbollistike – u shfaq, duke i kërkuar që të kthehej në “Selhurst Park” në një periudhë afatshkurtër për të ndihmuar në mbetjen në Premier League, Hodgson nuk e kishte opsion refuzimin e ofertës.

“Unë e di shumë qartë se cili është projekti, cili është objektivi, pse jam këtu dhe çfarë pritet nga unë,” tha Hodgson, duke folur publikisht për herë të parë që nga kthimi në Palace.

Hodgson ishte trajner i Palacet prej vitit 2017 deri në vitin 2021 dhe në secilin sezon e ruajti vendin e ekipit në Premier League. Të njëjtën gjë Hodgson nuk arriti ta bënte te Watfordi, ekip që e angazhoi me emergjencë por ishte vonë për shkak se ishin vetëm edhe tri ndeshje deri në fund të edicionit të kaluar.

“Më duhet të pranoj se ishte e pamundur ta shpëtoja Watfordin, sepse ishin vetëm tri ndeshje deri në fund. Po ashtu, garanci nuk kam as për Crystal Palacen, por kemi më shumë ndeshje dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. Do të luftojmë”, insistoi Hodgson.

Hodgson - një nga trajnerët më jetëgjatë në futbollin anglez - nuk ka parë kurrë një luftë kaq të ashpër për t’i shpëtuar rënies nga Premier League. Palace është në vendin e 12-të në ligën me 20 ekipe. Ka vetëm tri pikë më shumë se skuadrat në zonën e rënies, me 10 xhiro të mbetura. Nëntë ekipet e fundit – nga Palace deri te Southamptoni – ndahen me vetëm katër pikë.

“Sigurisht që nuk kam parë një luftë kaq të ashpër. Por, Palace është një klub shumë i madh për të rënë nga liga”, shtoi Hodgson.

Palace është skuadër me lojtarë të talentuar si Wilfried Zaha, Eberechi Eze, Michael Olise, Marc Guehi e Joachim Andersen. Por nuk di për fitore në 13 ndeshje në të gjitha garat këtë vit. Kjo edhe është arsyeja që trajneri francez Patrick Vieira u shkarkua për t’u zëvendësuar me Hodgsonin, i cili do të debutojë të shtunën në duelin kundër Leicesterit.

Sfida e parë e tij është që ta ngrejë moralin e lojtarëve.

“Nuk është aspak lehtë pasi lojtarët kanë humbur paksa besimin. Megjithatë, kam punuar në këtë aspekt prejse kam ardhur dhe shpresoj që ekipi të jetë gati për të reaguar prej ndeshjes së radhës”, tha Hodgson.