Sport

Surfisti 90-vjeçar nga Japonia po e mahnit gjithë botën

Descriptive Text

Si pronar me shumë obligime i një kompanie në moshën e mesme, Seiichi Sano filloi të sfidohet fizikisht në moshën 80-vjeçare, duke u ngjitur në malin Fuji. Me sa duket nuk u sfidua mjaftueshëm nga maja më e lartë e Japonisë dhe menjëherë filloi surfimin.

Sano mbush 90 vjet këtë vit dhe pasi u njoh nga Libri i Rekordeve të Ginisit si burri më i vjetër që surfon, ai është gati për teste të tjera.

“Ndoshta do të provoj ngjitjen në shkëmbinj”, tha ai, duke sugjeruar se mund ta bëjë ngjitjen fillimisht në palestër. “Jashtë mund të jetë pak e rrezikshme”.

Mirëpo nuk përjashtoi mundësinë që t’i përkushtohet surfimit duke thënë se synimi i tij është t’i kapë valët deri në moshën 100-vjeçare.

“Mendoj se do të ishte interesante të përpiqesha të surfoja deri në moshën 100-vjeçare”, tha Sano. “Unë kujdesem më mirë për veten kur kam synime të tilla”.

Sano jeton rreth 20 minuta nga Yokohama dhe del shumicën e fundjavave në plazhin me rërë të zezë pranë Enoshimas, ishullit të vogël që organizoi garat e lundrimit në Olimpiadën e fundit të Tokios dhe ishte porti për Lojërat e vitit 1964. Ai tha se ishte frymëzuar nga një punonjës në bankën lokale, i cili ishte gjithmonë i nxirë dhe nuk dukej si bankier tipik. Sekreti i tij, tha Sano, ishte surfimi. Kështu që Sano ndoqi këshillën e tij dhe gjeti një trajner.

“Unë nuk e konsideroj veten plak”, tha Sano, me kostumin e tij të lagur që qëndronte pranë dërrasës së surfimit. “Nuk e kam menduar kurrë veten si person i vjetër. Gjithmonë ndiej se mund të eci përpara. Unë ende mund ta bëj dhe ende mund ta shijoj këtë sport”.

Enoshima është një zonë me valë të vogla, që i përshtatet Sanos. Ai iu bashkua qindra surfistëve të tjerë këtë javë, duke pritur që të vinin valët më të mëdha. Të gjithë surfistët ishin më të rinj natyrisht. Disa ishin të shkollës fillore ose të mesme, të cilët gjithashtu punonin me instruktorin e surfimit të Sanos, 46-vjeçarin Kazuto Shimizu. Ata mezi prisnin të mburreshin për “stërgjyshin” e tyre, Sanon.

“Unë mendoj se mosha nuk ka rëndësi në surfim”, tha 12-vjeçarja Iroha Shimabukuro.

Motra e saj binjake, Fuka, shtoi: “Ai është më shumë si një anëtar i familjes, pavarësisht moshës”.

Ndërsa, vëllai më i vogël i tyre, Shua, tha se mendon që Sano është një person i mrekullueshëm.

Rokka Saito, surfistja tjetër e re, insistoi se ka respekt të madh për Sanon.

Sano futet në det dhe pret që një valë të afrohet. Ai e kap atë dhe qëndron në këmbë duke bërë disa kthime, përpara se të binte në ujin e cekët në skaj të plazhit.

“Më pëlqen të jem i përfshirë në valë”, shtoi ai. “Unë nuk jam surfist i mirë. Kështu që unë e quaj veten një surfist të valëve të vogla”.

Sano ende drejton biznesin që furnizon me lëndë kompanitë e ndërtimit dhe ende punon prej orës nëntë e deri në orën 17:00.

“Të jem i sinqertë, u befasova nga mosha e tij”, tha Shimizu, instruktori i tij. “Unë isha më i shqetësuar se ai do të lëndohej. Nuk e dija sa i aftë ishte fizikisht”.

Sano bëri shaka për surfimin në Lojërat Olimpike të Tokios, të mbajtura gati dy vjet më parë.

“Shpresoja të merrja pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, jo si garues, por si demonstrues i moshës së vjetër”, tha ai.