Sport

Michel der Zakarian ringjall Montpellierin në Francë

Thënia e vjetër franceze “supat më të mira bëhen në tenxhere të vjetra” sigurisht që vlen për Montpellierin.

Klubi i futbollit në Francën jugore ka një mori ish-lojtarësh dhe trajnerësh që janë pjesë e skemës organizative ose të gatshëm të kthehen dhe të ndihmojnë kur gjërat shkojnë keq. Ky ishte rast në muajin shkurt kur Michel der Zakarian - i njohur si “Der Zak” - u riemërua trajner pas shkarkimit të Romain Pitaut.

Kampioni i vitit 2012 ishte vetëm dy pikë larg zonës së rënies, pas pesë humbjeve në gjashtë ndeshje, dhe presidenti i Montpellierit, Laurent Nicollin, mendoi se ishte koha e duhur për një ndryshim.

“Shpresoj dhe mendoj se ai është njeriu i duhur për momentin”, tha Nicollin.

Shpresat e tij janë përmbushur. Që nga kthimi i Der Zakarian, më pak se dy vjet pas largimit, Montpellieri është i pamposhtur, duke fituar pesë nga gjashtë ndeshjet kampionale. Me 16 pikët e marra, Montpellieri ka qenë skuadra më e mirë në ligë gjatë kësaj periudhe. Përpara udhëtimit të së premtes te Marseille i vendit të dytë, skuadra e Der Zakarianit duket se plotësisht e ka të garantuar qëndrimin në elitën franceze. Ka epërsi prej 13 pikësh ndaj skuadrave të zonës së rënies. Me 10 ndeshje të mbetura deri në fund, Paris Saint-Germaini ka shtatë pikë epërsi ndaj Marseillet, përpara se të presë Lyonin të dielën.

“Për të qenë të sigurt na duhen edhe dy fitore të tjera”, tha Der Zakarian.

Si lojtar, 60-vjeçari kaloi gati një dekadë në Montpellier, duke marrë shiritin e kapitenit kur Laurent Blanc u largua për në Napoli dhe e udhëhoqi klubin drejt fitores në Kupën e Ligës në vitin 1992. Pasi doli në pension, Der Zakarian iu bashkua stafit teknik të Montpellierit dhe mësoi zanatin si trajner me ekipet rezervë. I zhgënjyer që nuk mori postin kryesor të trajnerit, Der Zakarian u largua për në Nantes në vitin 2006. Ai më në fund u emërua trajner i Montpellierit në vitin 2017. Mandati i tij zgjati katër sezone, duke arritur vendin e gjashtë, ndërsa ndërtoi një ekip që ishte i njohur për cilësitë mbrojtëse. Der Zakarian u kthye me të njëjtën filozofi të ashpër dhe skuadra e tij aktuale ka pranuar vetëm dy gola në gjashtë ndeshje.

“Klubi ka pasur gjithmonë vlera luftarake, kjo është ajo që pres nga ekipi”, tha ai.

Mbrojtja solide nën drejtimin e Der Zakarianit është bërë e mundur nga afrimi i portierit Benjamin Lecomte, një tjetër ish-lojtar i Montpellierit, i cili ka bërë 31 pritje që nga kthimi në “Stade de La Mosson”. Dy rekrutët e tjerë, mbrojtësi i majtë Issiaga Sylla dhe qendërmbrojtësi Boubakar Kouyate, kanë lënë gjithashtu përshtypje. Në pjesën e përparme Montpellieri ka pasur efikasitet me 13 gola në gjashtë ndeshje, ndërsa ndikim patën mesfushori Teji Savanier dhe sulmuesi Elye Wahi. Pasi shënoi dy herë në fitoren 2:1 ndaj Clermontit para pushimit ndërkombëtar, sulmuesi 20-vjeçar Wahi ka 12 gola në ligë - shifra e tij më e mirë gjatë një edicioni të vetëm. I talentuar, me shpejtësi dhe aftësi të mëdha teknike, Wahi po ngjall interes nga klubet më të mira të Premier Leagues, përfshirë Arsenalin dhe Tottenhamin.

Der Zakarian ka paralajmëruar blerësit e mundshëm se do të duhet të shpenzojnë shumë për të siguruar shërbimet e sulmuesit Wahi.

“Është 20-vjeçar dhe plot talent”, tha Der Zakarian. “Kjo kushton shumë. Për mua, minimumi 25 ose 30 milionë euro”.