Sport

Federata e Karatesë dështon ta mbajë Kuvendin e Punës, zgjedhjet shihen si zgjidhje

Descriptive Text

Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) ka dështuar ta mbajë të martën Kuvendin e Punës.Në fakt Kuvendi nisi punimet, por nuk vazhdoi gjatë. Nuk kaloi rendi i ditës. Shumica e delegatëve votuan kundër tij.. 27 prej 44 delegatëve ishin kundër miratimit të rendit të ditës. Në FKK vetëm pas interesimit të KOHËS kanë dhënë detaje rreth Kuvendit të Punës. Në faqen zyrtare të Federatës nuk është lëshuar asnjë njoftim. Klubet që votuan kundër mbajtjes së Kuvendit të Punës kërkojnë të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sekretari i Federatës së Karatesë të Kosovës, Nazmi Gashi, pranon se ka klube të pakënaqura. Por ai nuk ka treguar se cilat janë pakënaqësitë e tyre.

“Nuk u miratuan pikat e rendit të ditës dhe është shtyrë për një afat të pacaktuar derisa Bordi i FKK-së të marrë një vendim për një datë tjetër. Të pranishëm ishin 44 delegatë, ku 17 vota ishin për miratimin e rendit të ditës, ndërsa 27 vota kundër. Tash pritet data tjetër dhe me kohë do të njoftohen të gjithë anëtarët. Pakënaqësitë e anëtarëve janë në disa fusha dhe ky ishte rezultati”, ka thënë Gashi për KOHËN.

Në fakt, pakënaqësi rreth punës së anëtarëve të ndryshëm të Federatës së Karatesë ka pasur edhe në të kaluarën. Nuk kanë munguar edhe akuzat e ndryshme. Një prej kritikëve më të mëdhenj të udhëheqjes aktuale është Isak Curri. Curri është delegat i Kuvendit të Federatës së Karatesë të Kosovës. Ai është trajner i klubit Besa të Obiliqit. “Është ndërprerë Kuvendi i Punës. Dhe ky kryetari nuk e dërgoi Federatën në zgjedhje. Po të kishte pak moral, do të duhej të jepte dorëheqje dhe të shkonim në zgjedhje. Kuvendu u shty. Kuvendi shtyhet në dy raste, kur nuk ka kuorum dhe në ndonjë fatkeqësi natyrore, pasi Kuvendi veç kishte filluar”, ka thënë Curri.

Curri thotë se menaxhimi i keq i Federatës nga kryetari Avni Gashi ka çuar në pakënaqësi të madhe te klubet, duke shkarkuar njerëz pa arsye dhe duke parë njerëz pa vlera në pozita. Gashi në krye të Federatës u emërua marsin e vitit të kaluar. Ai zuri vendin e Ismet Krasniqit i cili dha dorëheqje pasi u zgjodh kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

“Nuk ka demokraci. Janë njerëz që kanë interesa personale dhe inate. Po luftojnë njerëzit me vlera”, ka theksuar Curri.

Ish-selektori Isak Curri së fundmi ishte i ashpër edhe para se karateistët të udhëtonin drejt Spanjës. Ai përgjegjësinë për mospajisje me viza të karateistëve kosovarë ia lë Federatës së Karatesë. Por, në fakt, edhe ata që udhëtuan, nuk u lejuan të garojnë. Spanja nuk lejoi pjesëmarrjen e tyre me simbole të shtetit të Kosovës. Ishte ky diskriminimi i dytë brenda pak javësh për karateistët e Kosovës. Por në klubet e Kosovës shohin probleme edhe më të mëdha. Thonë se ka parregullsi të shumta.

Kryetari i klubit të karatesë Prishtina, Ismail Fazliu, thotë se zgjidhja e vetme është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk ka pasur transparencë, sidomos në gjashtë muajt e parë për çka ka pasur edhe pakënaqësi të shumta të klubeve. Kur i ka parë këto reagime, ka filluar të bëjë transparencë, por ka marrë vendime më shumë vetë. Bordin e ka anashkaluar, nuk ka pasur raporte të detajuara për udhëtimet, shpenzimet dhe gjërat e tjera. Ka shkarkuar njerëz, punëtorë të sinqertë për shkak se nuk e kanë votuar ose kanë pasur mendime të veta. Zgjidhja e problemit është të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të vijnë njerëz me vlera në Bord. Ai do ta ketë të drejtën e kandidimit sërish, por mendoj se duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Fazliu.

Federata e Karatesë e Kosovës nuk është federata e vetme që përballet me përplasje. Edhe disa federata të tjera kanë probleme ende të pazgjidhura.