Sport

Belgjika me energji të re pas eliminimit të hershëm në Katar

Kapiteni i Përfaqësueses së Belgjikës, Kevin de Bruyne, thotë se lojtarët e rinj në skuadër po injektojnë energji në ekip pas dështimit të “brezit të tyre të artë” për të përmbushur renditjen e tyre numër një gjatë katër vjetëve të fundit. Belgjika filloi një epokë të re gjatë javës së fundit me dy fitore mbresëlënëse – duke filluar kampanjën e saj kualifikuese për “Euro 2024” me fitore ndaj Suedisë 3:0 si mysafire dhe më pas duke triumfuar 3:2 të martën mbrëma në miqësoren kundër Gjermanisë në Koeln.

Ishte një fillim pozitiv për trajnerin e ri Domenico Tedesco, i cili zëvendësoi Roberto Martinezin pas eliminimit befasues të hershëm të Belgjikës në Kampionatin Botëror që u mbajt vitin e kaluar në Katar. Belgjika kishte kaluar rreth tre vjet në krye të renditjes së FIFA-s në periudhën midis Kupës së Botës 2018 në Rusi dhe vitit 2022, por kurrë nuk iu afrua një trofeu të madh, duke u eliminuar në çerekfinalet e “Euro 2000” dhe më pas në fazën e grupeve në Katar.

“Të gjithë mund ta shohin se lojtarët e rinj ia kanë dhënë një energji të re ekipit”, tha De Bruyne, i cili shpjegoi se ndryshimi me paraardhësin e Tedescos ishte se Martinez mbështetej kryesisht në lojtarët më të vjetër. “Ata vijnë këtu tani me ndjenjën se do të kenë mundësi dhe luftojnë për përfaqësuesen. Nëse të gjithë lojtarët janë në vendin e duhur, cilësia del në pah”.

I kënaqur me startin e tij impresiv ka mbetur edhe trajneri Tedesco. Ai tha se do ta vazhdojë punën me këtë ritëm, në mënyrë që Belgjika të futet me synime të mëdha në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

“Jam vërtet i kënaqur me dy fitoret”, pranoi Tedesco. “Jo vetëm me rezultatet, por edhe me mënyrën se si luajtëm. Është thelbësore që entuziazmi të kthehet. Kam një ndjenjë të mirë dhe jam jashtëzakonisht i motivuar. Megjithatë, kemi ende shumë punë për të bërë”.

Tedesco, i cili ka lindur në Itali, por është rritur në Gjermani dhe për herë të fundit ka punuar si trajner te skuadra e Leipzigut, ishte veçanërisht i kënaqur me paraqitjen e Belgjikës gjatë pjesës së parë ndaj gjermanëve. Pas këtyre dy ndeshjeve Tedesco tha se ka besim të madh tek futbollistët e tij.

“Doja që lojtarët e mi të tregonin guxim, të luanin përpara dhe të merrnin topin, edhe kur Gjermania na bënte presion. Ne kemi lojtarët për këtë. Duhet të besojmë në forcat tona, por duhet të ruajmë cilësinë që kemi gjatë tërë ndeshjes”, shtoi Tedesco. “Unë dua që ekipi im të sulmojë vazhdimisht dhe mos të tërhiqet shumë prapa në mbrojtje sikurse në pjesën e dytë ndaj Gjermanisë”.