Sport

Gjyshet e Afrikës së Jugut largojnë stereotipat në fushën e futbollit

E veshur me tuta blu dhe duke valëvitur flamurin kombëtar, skuadra e futbollit Vakhegula Vakhegula nga Afrika e Jugut vrapoi në stadium për të brohoritur përpara ndeshjes së saj të parë kundër ekipit të SHBA-së. Ishte dita e parë e turneut ndërkombëtar të futbollit “Grannies” (Gjyshet) në provincën Limpopo dhe ky ekip – sikurse të tjerët – përbëhej nga gra të moshës 55 vjeç e lart. Vakhegula do të thotë “gjyshe” në gjuhën tsonga që flitet në Afrikën e Jugut.

“Në moshën time mendoj se nëse nuk do të isha në këtë sport duhej të isha i kufizuar në një karrocë me rrota”, tha sulmuesja 66-vjeçare Flora Baloi, e cila filloi të luante futboll në vitin 2017 pasi vuante nga artriti.

Tani ajo tha se nuk ka më nevojë për mjekim, pasi stërvitja e mban atë në formë të mirë fizike dhe mendore. Kur nuk stërvitet me ekipin e futbollit, asaj i pëlqen të shikojë futboll në televizor me burrin e saj dhe të kalojë kohë me pesë nipërit e saj. Turneu, i njohur me nofkën Kupa Botërore e Futbollit për Gjyshet, është i pari i këtij lloji i organizuar nga skuadra Vakhegula Vakhegula. Ekipi u formua në vitin 2007 për të përmirësuar shëndetin e grave vendase dhe çoi në krijimin e ekipeve të tjera të gjysheve në të gjithë vendin.

Turneu katërditor do të shohë të paktën 15 ekipe të garojnë, nga Afrika e Jugut dhe vende të tjera duke, përfshirë Zambinë, Zimbabvenë dhe Mozambikun. Skuadrat e gjysheve kanë ardhur nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në turneun që po mbahet në Afrikën e Jugut.

“Ne e duam futbollin. Ky sport do të thotë shumë për ne. Është një komunitet, na bën të shëndetshme dhe për këtë arsye ne stërvitemi dhe luajmë rregullisht”, tha lojtarja amerikane, 64-vjeçarja Mo Kelly.