Sport

Xhaka i lumtur për fitoren në Serbi

Granit Xhaka

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka mbetur tejet i kënaqur me fillimin e furishëm të “helvetikëve” në kualifikimet për “Euro 2024”.

Në ndeshjen e parë të kësaj kampanje, Zvicra triumfoi bindshëm ndaj Bjellorusisë me rezultatin 5:0. Kjo ndeshje u zhvillua të shtunën në territorin e Serbisë, saktësisht në Novi-Sad.

Bjellorusisë nuk i lejohet t’i organizojë ndeshjet në territorin e vet për shkak të përkrahjes së luftës të Rusisë ndaj Ukrainës. Edhe pse kjo ndeshje u zhvillua në Serbi, Xhaka nuk ka pasur dyshime për të udhëtuar me ekipin. Xhaka ka treguar se ka biseduar me trajnerin Murat Yakin për të marrë një vendim në lidhje me udhëtimin e tij në Serbi. Së bashku me trajnerin, Xhaka ka vendosur të shkojë edhe pse ka theksuar se nuk ishte aspak vendim i lehtë për të gjitha palët e përfshira. Gjatë paraqitjes së mirë Xhaka shënoi një gol në fitoren e thellë të Zvicrës në stadiumin “Karagjorgje”.

Të hënën, një ditë para duelit me Izraelin, Xhaka në konferencë foli për detajet e udhëtimit në Serbi. Ai nuk ka folur gjatë qëndrimit në Novi-Sad. “Doja shumë të isha atje. Paraprakisht bisedova me trajnerin për këtë çështje dhe në fund vendosëm që të shkonim me ekipin. Nuk ishte vendim i lehtë për të gjithë të përfshirët, por kishte të bënte vetëm me sportin”, tha Xhaka. “Kështu që jam i lumtur që isha atje dhe e ndihmova ekipin të kthehet me tri pikë”.

Ai zbuloi se ndaj Bjellorusisë ka luajtur në një pozitë më sulmuese, të ngjashme me atë që e luan tek Arsenali. “Edhe tek Arsenali luaj në këtë pozitë dhe funksionon. Trajneri është ai që vendos se ku duhet të luaj. Gjëja e mirë është se ai na jep liri në fushë”, ka shtuar Xhaka, që po ashtu kontribuoi me dy asistime. Sa i përket ndeshjes me Izraelin, që zhvillohet të martën në “Stade de Geneve” prej orës 20:45, Xhaka tha se synojnë fitoren. Mesfushori pranoi se Zvicra është favorite e Grupit I. Sipas Xhakës, gjasat janë të mira që Zvicra t’i fitojë të gjitha ndeshjet e grupit për t’u kualifikuar nga pozita e parë me pikë maksimale. Zvicra në këtë cikël eliminator do të ketë punë edhe me Kosovën, Andorrën e Rumaninë. “Ne i kemi synimet e mëdha, sikurse tifozët, dhe në fund të fundit vetëm kualifikimi në Evropian është ai që vlen”, ka deklaruar Xhaka. “Dhjetë fitore në dhjetë ndeshje është ajo që mendojmë. Është reale, por jo arrogante. Ne jemi favoritë të grupit, por respektojmë kundërshtarët. Ajo që pritet prej nesh është që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet në grup. Sigurisht që nuk është lehtë, por jo edhe e pamundur”.

Mesfushori 30-vjeçar ka folur edhe për rekordin e paraqitjeve te Zvicra, të cilin pritet ta thyejë së shpejti. Pas duelit me Izraelin, Xhakës i mbesin vetëm edhe gjashtë ndeshje për të barazuar rekordin për më së shumti paraqitje te Zvicra, të cilin e mban Heinz Hermann me 118 ndeshje. Xhaka ka 111 paraqitje me fanellën e Zvicrës.

“Ky rekord do të më bënte shumë krenar. Veçanërisht për personat që thonë se nuk ndihem krenar që luaj për Zvicrën. Por, ndihem krenar edhe për familjen time, bashkëlojtarët dhe stafin e trajnerëve. Megjithatë, unë shkoj ndeshje pas ndeshjeje dhe nuk e shikoj rekordin”, shtoi Xhaka. Trajneri i Zvicrës, Yakin, e ka vlerësuar lart Xhakën. Ai ka thënë se Xhaka është lojtar me cilësi të shumta dhe se mbetet tejet i rëndësishëm për Zvicrën. “Jo më kot Graniti e mban numrin 10 në fanellë. Ai dëshiron të luajë edhe në sulm dhe ka shumë cilësi. Aktualisht po luan në mënyrë shumë strategjike, është kreativ dhe është një kërcënim shumë i madh për portën kundërshtare. Kjo është ajo që e bën Granitin të rëndësishëm për ne”, tha Yakin.