Sport

Napoli e ngjyros qytetin në të kaltër për titullin e parë që nga epoka e Maradonës

Napoli

Fytyra e Diego Armando Maradonës vështron nga një mural në Sheshin e Mrekullive të Napolit, duke parë qytetin që po përgatitet për një festë që nuk e ka shijuar që kur ylli i futbollit argjentinas ishte në kulmin e karrierës, më shumë se 30 vjet më parë.

Mrekullitë për napolitanët, të cilët u rritën në një qytet të zhytur në bestytni, po ndodhin në fushë, ndërsa skuadra e tyre po marshon drejt një triumfi të tretë në Serie A dhe po përgatitet për çerekfinalen e parë në Ligën e Kampionëve.

“Ky sukses vjen nga shpirti i Maradonës. Është ai që na shikon nga lart”, tha Raffaele Cardamone, një shofer kamioni 51-vjeçar, duke treguar muralin e sapo përfunduar që portretizon gjeniun e madh të futbollit, i cili vdiq në vitin 2020.

“Është dora e Zotit”, shtoi ai, duke iu referuar golit të famshëm që Maradona e shënoi me dorë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, i cili ndihmoi Argjentinën të eliminonte Anglinë. Maradona ishte gjithashtu forca shtytëse pas skuadrës së Napolit në atë kohë, duke ndihmuar qytetin të fitonte titullin e parë të ligës në vitin 1987 dhe të dytin vetëm tre vjet më vonë, më 1990.

Me 11 ndeshje të mbetura për të luajtur deri në fund të edicionit në Serie A, skuadra nga jugu i Italisë ka një epërsi prej 19 pikësh ndaj Lazios së vendit të dytë dhe ëndrra e Napolit për titull mund të bëhet realitet që në gjysmën e dytë të prillit, më shumë se një muaj përpara ndeshjes së fundit në ligë. Napolitanët tashmë po festojnë Scudetton e tretë, siç njihet titulli i ligës italiane, duke e parë atë si hakmarrje ndaj qyteteve të pasura veriore të Torinos dhe Milanos, skuadrat e të cilave Juventusi, Interi dhe Milani kanë dominuar në Serie A në tri dekadat e fundit. Vendësit kanë hequr dorë nga “scaramanzia” e tyre tradicionale, një sërë ritualesh të rrënjosura në kulturën popullore, për të mbajtur larg fatin e keq.

Mjeshtrit e qytetit kanë krijuar figura të heronjve të rinj të Napolit. Figurat prej kartoni të lojtarëve rreshtohen në lagjet spanjolle të qytetit, ndërsa motoçiklistët enden nëpër korsitë e ngushta dhe flamujt blu valëviten para dyqaneve. Fotografitë tregojnë Maradonën në parajsë, duke ia dorëzuar Scudetton sulmuesit nigerian Victor Osimhen dhe mesfushorit gjeorgjian Khvicha Kvaratskhelia - dy yjet kryesore të ekipit aktual. Banorët kanë nisur iniciativat për mbledhjen e fondeve për të financuar një festë të titullit të kampionit për të cilën ata thonë se do të zgjasë me ditë dhe synojnë të lyejnë muret dhe rrugët e qytetit në ngjyrën blu të klubit.

“Euforia është e pamundur të përmbahet”, tha Antonio Sarracino, 55 vjeç, i cili mban një gotë për donacione brenda dyqanit të tij.

Napolitanët shpresojnë se lavdia sportive mund të jetë një nxitje për një qytet ku varfëria mbetet e përhapur, por ku jeta po përmirësohet në kurriz të rritjes në turizëm. Instituti kërkimor “Demoskopika” vlerëson një rritje prej 13% të ardhjeve këtë vit krahasuar me vitin 2022.

“Dy fitoret e para në ligë erdhën në një epokë të ndryshme. Nuk kishte shumë turizëm. Kishte festime masive lokale, por ato nuk shkuan përtej Napolit”, tha Ernesto Monte, 59 vjeç, duke parë detin nga një bar pranë qendrës.

Romancieri dhe poeti Erri De Luca kujton se Maradona, i cili mbetet heroi më i madh i qytetit dhe që stadiumi mbanë emrin e tij, iu bashkua skuadrës vetëm pak vjet pas tërmetit të vitit 1980 në zonën e afërt të Irpinias, i cili vrau 2700 njerëz.

“Ai ishte një qytet që ende shkundte pluhurin e tërmetit. Kishte luftëra mafioze të Camorras në rrugë dhe në burg. Turistët erdhën këtu vetëm për t'u drejtuar drejt ishujve dhe bregdetit. Sot Napoli është një atraksion”, tha ai.

Fitorja e mundshme e ligës mund të mos jetë triumfi i vetëm për Napolin këtë vit, me shumë tifozë që shpresojnë se skuadra mund të arrijë në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori. Në çerekfinale, Napoli do të përballet me rivalin nga Serie A, Milanin. Pietro De Chiara, 26 vjeç, javën e kaluar ndihmoi në pikturimin e një simboli të madh të Scudettos në lagjen spanjolle plot jetë.

“Pas Scudettos, ne do të kemi Ligën e Kampionëve dhe do të përfundojmë me lyerjen e shkallëve”, tha ai.