Sport

Fitore dramatike e Trepçës ndaj Vushtrrisë

Descriptive Text

Trepça e ka fituar kryendeshjen e xhiros së 23-të të Superligës A të Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma në “Minatori”, mitrovicasit fituan me rezultatin e ngushë, 31:30. Në sekondat e fundit portieri Mohammed Chahre Hachemi ndali një gjuajtje për fitoren e Trepçës. 
Në pjesën e parë vendasit mbajtën vazhdimisht epërsi të lartë. Por në të dytën vushtrriasit u kthyen dhe krijuan epërsi deri në tri gola, 25:22. Më pas u luajt ndeshje e fortë dhe interesante deri në fund, kurse festa u takoi vendasve.
Pos portierit Hachemi te Trepça u dalluan edhe Deniz Terziqi me dhjetë gola dhe Yassine Henahen me gjashtë. Lulzim Shabani shënoi pesë gola, duke përfshirë dy të fundit.
Te Vushtrria, Bozhidar Nikoçeviq i shënoi 13 gola, ndërsa gjashtë i kishte Nemanja Drakuloviq. 
Trepça është forcuar në pozitën e dytë. I ka 28 pikë. Vushtrria ka rënë në vendin e katërt me 22 pikë.
Në dy ndeshjet e luajtura të shtunën, fitore kanë shënuar skuadrat favorite. Besa Famgas fitoi në udhëtim ndaj Rahovecit me rezultat 34:25. Prishtina e mposhti Kastriotin në Ferizaj me rezultatin 40:33.