Sport

Mërgim Berisha debuton te Gjermania

Sulmuesi shqiptar, Mërgim Berisha, ka debutuar te Gjermania, në miqësoren që kjo përfaqësuese po e zhvillon ndaj Perusë.

Ai u inkuadrua në minutën e 76-të, në kohën kur Gjermania po udhëheq 2:0.

Te Kosova kanë shpresuar gjatë që Berisha do të vendoste për përfaqësuesen e vendit të origjinës. Por 24-vjeçari kishte shpresa dhe ëndrra të tjera. Ka pranuar se ka ëndërruar të bëhet pjesë e përfaqësueses A të Gjermanisë. Ëndrra iu realizua javën e shkuar kur mori ftesën nga përzgjedhësi Hansi Flick për dy ndeshjet e marsit.

Berisha është i lindur në Berchtesgaden, ndërsa prej verës po luan për Augsburgun e Bundesligës. Augsburgu i ka pasur vetëm katër lojtarë në përfaqësuesen gjermane deri më tani. Dhe Berisha i bashkohet këtij grupi elit.

Më herët për Gjermaninë ka luajtur mbrojtësi i qendrës, Shkodran Mustafi. Ai madje kishte fituar titullin e botës me Gjermaninë në vitin 2014.

Fanella e Gjermanisë nuk është e panjohur për Mërgim Berishën. Ai i ka luajtur 13 ndeshje për U21 të Gjermanisë, ndërsa ka fituar titullin e Evropës për këtë grupmoshë. Kishte luajtur startues në të gjitha gjashtë ndeshjet në Evropian, duke përfshirë finalen.

E panjohur për Berishën është fanella e Kosovës dhe e tillë do të mbetet.

Ndonëse i lindur në Gjermani, Berisha është zhvilluar si futbollist në Austri te Salzburgu. Ka pasur periudha huazimi te LASK-u, Magdeburgu e Altachu, por shkëlqimin e parë e kishte te Salzburgu. Në vitin 2021 u transferua te Fenerbahçe, ndërsa verën e kaluar u transferua në formë huazimi tek Augsburgu. Lëvizja doli të jetë më se e qëlluar.

Në 18 paraqitje në Bundesligë këtë edicion, Berisha ka shënuar tetë gola, ndërsa i ka edhe katër asistime. Në Superligën turke, para huazimit, kishte shënuar një gol në një paraqitje.

Forma e mirë e shfaqur në Bundesligë i është shpërblyer Berishës me ftesë nga Gjermania, superfuqia e futbollit. Me paraqitje në miqësore, Berisha nuk e humb të drejtën që të luajë për Kosovën në të ardhmen. Por gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të vogla. Kosova ka bërë përpjekjet e saj për Berishën, por top-sulmuesi kishte plane të tjera për karrierën e tij.