Sport

Goli i Messit bën që Argjentina të shpërthejë në festë

Descriptive Text

Lionel Messi mbylli një natë gëzimi të shfrenuar me golin e 800-të në karrierën e tij, ndërsa kampionia e botës, Argjentina, festoi kthimin në shtëpi me fitore 2:0 në ndeshjen miqësore kundër Panamasë në Buenos Aires.

Në fakt, Messi e konfirmoi fitoren me golin që e shënoi nga gjuajtja e lirë në minutat e fundit të ndeshjes. Goli i 35-vjeçarit erdhi pasi i riu Thiago Almada shënoi golin e tij të parë për Argjentinën në paraqitjen e tij të tretë. Ishte një natë emocionuese teksa fishekzjarrët shpërthyen përpara fillimit të ndeshjes në stadiumin “Monumental”, ku 83.000 tifozët me fat që arritën të merrnin bileta mes më shumë se 1.5 milionë njerëzve që tentuan, krijuan një atmosferë të zjarrtë. Messi, trajneri Lionel Scaloni dhe lojtarë të shumtë dolën në fushë me fëmijët e tyre dhe disa ishin në prag të lotëve teksa tifozët kënduan “Muchachos”, himnin e kampanjës fituese të Argjentinës në Kupën e Botës në Katar. Pas ndeshjes festa vazhdoi, kurse çdo anëtari të skuadrës fituese të Kupës së Botës iu dha një kopje e trofeut për të ngritur. Ata këtë e bënin derisa ishin të rrethuar nga familjarët e tyre.

“Gjithmonë kam ëndërruar për këtë moment, të jem në gjendje të festoj me tifozët, të jem në gjendje të vij në vendin tim me trofeun e Copa Americas dhe Kupën e Botës. Është gjëja më e mirë që më ka ndodhur”, tha Messi, i cili mori disa shpërblime pas përfundimit të ndeshjes.

I emocionuar me pritjen madhështore ishte edhe trajneri Scaloni. Megjithatë, Scaloni edhe një herë të gjitha meritat ua ka lënë futbollistëve të tij.

“Pafundësisht jam falënderues ndaj këtij grupi të lojtarëve. Suksesi është i tyre, sepse ata kanë luajtur duke djersitur fanellat. Ata kanë dhënë gjithçka nga vetja për këtë sukses madhështor, të cilin po e shijojmë. Ata kanë bërë një punë fantastike të cilës po i gëzohet gjithë populli”, tha Scaloni përpara se të shpërthente në lot.

Në fakt, miqësorja me Panamanë ishte e qartë se më shumë ishte festive sesa një ndeshje futbolli. Megjithatë, futbollistët e Panamasë u angazhuan maksimalisht dhe nuk u thyen deri në minutën e 78-të. Deri në ato minuta Argjetina nuk bëri shumë dhe nuk u angazhua derisa tifozët filluan të kërkonin fitoren në këtë ndeshje festive. Scaloni për këtë ndeshje kishte zgjedhur njëmbëdhjetëshen që luajti në finalen e Botërorit kundër Francës, ndeshje që e fitoi me penallti. Me të përfunduar pjesa e parë, Scaloni bëri tri ndryshime. Messi pati dorë në golin e parë të shënuar nga Almada, përpara se ta vuloste fitoren nga gjuajtja e lirë. Me golin e dytë, festa vazhdoi me këndim dhe vallëzim, derisa në ekranin gjigant paraqitej rrugëtimi triumfues i ekipit drejt titullit të tretë të botës.

Ky ishte goli i 800-të i Messit në karrierën e tij profesionale. Nëse shënon një tjetër në miqësoren e radhës që Argjentina e luan kundër Curacaos të martën, ai do të arrijë shifrën e 100 golave ​​për përfaqësuesen. Asnjëri prej tifozëve nuk e largua nga stadiumi derisa lojtarët e Argjentinës, të shoqëruar nga partneret dhe fëmijët, bënë xhiron e nderit për të falënderuar tifozët, duke mbajtur secili në dorë kopjen e trofeut të Kupës së Botës.