Sport

Kosova kërkon fitore për nismë të mbarë të kualifikimeve

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është e vendosur që ciklin kualifikues për “Euro 2024” ta fillojë me fitore. Kundërshtari i parë i Kosovës në këto kualifikime do të jetë Izraeli, me të cilin do të përballet në Tel-Aviv.

Ndeshja mes Izraelit dhe Kosovës do të zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 dhe i takon Grupit I të kualifikimeve.

Selektori i Kosovës, Alain Giresse, në konferencën për shtyp para ndeshjes ka thënë se “Dardanët” janë përgatitur në çdo aspekt për këtë ndeshje. Ai ka pranuar se synimi i Kosovës është të japë më të mirën për ta fituar ndeshjen në Izrael. Francezi Giresse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, duke pasur parasysh se Izraeli luan në shtëpi, është i motivuar maksimalisht dhe ka përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Pavarësisht të gjithave, Giresse beson se Kosova ka përvojën në anën e saj, falë të cilës do ta arrijë fitoren e kërkuar.

Përfaqësuesja e Kosovës të premten ka udhëtuar për në Izrael. Pasdite ka zhvilluar stërvitje në stadiumin ku luhet ndeshja.

“Ne jemi këtu për fushatën kualifikuese të cilën e nisim me Izraelin. Kemi bërë përgatitjet tona maksimale dhe sigurisht që synimet i kemi për rezultat pozitiv. Jemi përgatitur në çdo aspekt për këtë ndeshje, gjë që është e rëndësishme. Të gjithë lojtarët janë gati dhe kanë parasysh rëndësinë e duelit. Nuk kemi të lënduar, të gjithë janë në formë të mirë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin nga vetja”, është shprehur Giresse. Ai e di se shumë varet prej ndeshjes së parë, por thotë se sfida në Izrael nuk përcakton rrugën.

“Gjasat e Kosovës për kualifikim nuk varen vetëm nga ndeshja me Izraelin, por edhe nga ndeshjet tjera dhe angazhimi i lojtarëve. Nëse angazhohemi shumë jo vetëm në këtë ndeshje por edhe në të tjerat, atëherë mund ta arrijmë synimin që e kemi në këto kualifikime dhe të jemi në Evropian”.

Giresse ka vlerësuar ekipin e Izraelit, duke thënë se nuk bazohet vetëm në lojtarët individualë, por në gjithë grupin. Sipas tij, Izraeli është në epërsi për shkak se luan në shtëpi, por kjo nuk e pengon Kosovën për ta dëshmuar veten. Giresse ka thënë se që ka presion, por ky presion dëshiron të jetë mbi të dhe jo mbi futbollistët.

Me përfaqësuese nuk ka udhëtuar kryetrari i FFK-së, Agim Ademi, të cilit të enjten iu caktua masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh. Në fakt kampi i përfaqësueses është zhvilluar në atmosferën jo më të mirë.

“Të gjithë lojtarët janë të rrezikshëm te Izraeli dhe ky është një fakt që nuk mund të nënvlerësohet, pasi nuk është vetëm Manor Solomon. Ne jemi këtu për të luajtur lojën tonë dhe jemi të përqendruar maksimalisht. Synimi është të bëjmë më të mirën, të fitojmë dhe të vazhdojmë tutje”, ka shtuar Giresse. “Pa presion nuk mund të fitosh dhe presioni për mua është normal, pasi jemi në kualifikime për Evropian. Shpresoj që ky presion të jetë mbi mua dhe jo mbi ekipin. Është normale që futbollistët e Izraelit janë të motivuar sepse luajnë në shtëpi. Sigurisht që kur je mysafir e ke më vështirë, pasi vendasit kanë edhe përkrahjen e tifozëve që është shumë e rëndësishme. Por, ne duhet të përballemi me këtë, ta tejkalojmë duke luajtur lojën tonë dhe të jemi të fokusuar në synimin tonë. Ndoshta jemi pak me fat që e kemi përvojën në anën tonë dhe bazuar në të ta marrim fitoren në këtë ndeshje”.

Edhe portieri Samir Ujkani ka thënë se synimi i Kosovës është që këtë cikël kualifikues ta fillojë me këmbë të mbarë. Ujkani tha se Kosova synon rezultat të favorshëm jo vetëm ndaj Izraelit, por ndaj të gjithë kundërshtarëve të grupit. Ujkani nuk pritet të paraqitet, por ishte në konferencë.

“Është një cikël i ri dhe sigurisht që ne kemi synimet tona për t’u kualifikuar në Evropian. Do të nisim prej ndeshjes me Izraelin, ku synojmë rezultat të mirë. Po ashtu duam të tubojmë sa më shumë pikë për të arritur synimin që të kualifikohemi në Evropian. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë në grup dhe nuk duhet nënvlerësuar. Por, ne kemi besim dhe në secilën ndeshje do të futemi për rezultat pozitiv, duke dhënë më të mirën nga vetja”, është shprehur Ujkani.

Kosova të hënën ka nisur grumbullimin për duelin me Izraelin dhe para udhëtimit ka zhvilluar katër seanca stërvitore. Kosova këtë muaj do t’i luajë dy ndeshje në kuadër të kualifikimeve. Tri ditë pas duelit me Izraelin, e pret Përfaqësuesen e Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në kuadër të këtij grupi kualifikues përfaqësuesja do të përballet edhe me Zvicrën, Rumaninë e Bjellorusinë. Dy të parët në grup kualifikohen.