Sport

Izraeli me përkrahje të madhe nga tribunat kundër Kosovës

Tel-Aviv, 22 mars - Përfaqësuesja e Izraelit do të ketë përkrahje të fuqishme në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” kundër Kosovës, që zhvillohet të shtunën në Tel-Aviv. Dueli i Grupit I do të luhet në “Bloomfield Stadium”, i cili ka një kapacitet prej 29.400 ulëseve dhe do të jetë i stërmbushur. Federata e Futbollit e Izraelit ka njoftuar të mërkurën se tashmë janë shitur të gjitha biletat për duelin kundër Kosovës. E trajneri i Izraelit, Alon Hazan, i është gëzuar faktit se futbollistët e tij do ta kenë përkrahjen e madhe nga tribunat kundër Kosovës. Ai ka shtuar se synimi i Izraelit është ta përfundojë ciklin kualifikues në pozitën e dytë në grup, e cila siguron kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Madje, ai ka thënë se shpreson që këtë përkrahje tifozëve t’ua shpërblejë me fitore kundër Kosovës. Hazan ka insistuar se ekipi i tij do të japë gjithçka nga vetja që në fund të ndeshjes të festojnë së bashku me të gjithë tifozët e pranishëm në tribunat e stadiumit.

“Është kaq e papritur të gëzosh një shprehje të tillë besimi nga publiku dhe ne me të vërtetë u themi faleminderit të gjithëve. Është një krenari e madhe. Unë premtoj se do të bëjmë gjithçka, se nuk do të heqim dorë nga asnjë top dhe uroj se këtë herë do të festojmë edhe bashkë në fund të lojës. Ky bashkim është burimi ynë më i madh i forcës”, ka thënë Hazan.

Optimist për fitore ndaj Kosovës është shprehur edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Doron Leidner. Ai bën karrierë te Austria e Vjenës, ndërsa në ndeshjen e fundit kontribuoi me një gol dhe një asistim në fitoren ndaj Rapidit.

“Jam i lumtur që bashkohem me skuadrën pas paraqitjes së mirë të fundit, e cila më riktheu vetëbesimin. Ndiej se kam ardhur me besim të madh dhe shpresën se do të jap më të mirën për ta ndihmuar Izraelin për ta fituar Kosovën”, ka thënë Leidner.

Edhe Leidner u shpreh i lumtur që me bashkëlojtarët e tjerë të Izraelit do ta kenë përkrahjen e madhe nga tribunat. Ai tha se kjo përkrahje do ta motivojë edhe më shumë ekipin për të dhënë më të mirën nga vetja dhe për ta fituar ndeshjen.

“Është gjithmonë mirë të kuptosh se turma është e lidhur me ne. Ne kemi shumë nevojë për përkrahje dhe kjo më së miri u dëshmua në ndeshjen e mëparshme ndaj Shqipërisë, ku ishin tifozët ata që na dhanë shtytjen e nevojshme për ta fituar ndeshjen. Është shumë e rëndësishme që një përkrahje të tillë do ta kemi edhe ndaj Kosovës. Ne jemi shumë të lumtur për këtë dhe shpresojmë në fitore. Edhe tifozët ndoshta po e ndiejnë sikur ne, se është e mundur të kualifikohemi në Evropian dhe duan të na ndihmojnë”, u shpreh Leidner.

Te Izraeli po besojnë se do të jenë të suksesshëm në këtë cikël eliminator, në të cilin bëjnë pjesë në një grup me Kosovën, Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë e Andorrën. Tri ditë pas përballjes me Kosovën, Përfaqësuesja e Izraelit do të luajë kundër Zvicrës.