Sport

Hodaj thotë se FFK-ja është për zbatimin e ligjit

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Taulant Hodaj ka thënë se mënyra se si organet e drejtësisë kanë vepruar ndaj kryetarit Agim Ademi, ka ndikuar negativisht te futbollistët, të cilët janë të shqetësuar për situatën e krijuar, sidomos pak ditë para ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 ndaj Izraelit në Tel Aviv.

Hodaj tha se kjo mënyrë ishte një goditje e rëndë jo vetëm për futbollin, por për Përfaqësuesen e Kosovës, që prej të hënës ka filluar grumbullimin për duelin me Izraelin.

Ai shtoi se FFK-ja, do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, por edhe do të jetë transparente dhe vazhdimisht në kontakte me UEFA-n e FIFA-n.

“Ne jemi për zbatim të ligjit dhe drejtësia ti hetojë të gjitha ato që janë të bazuara me ligj, por mënyra se si lojtarët e Kosovës janë ballafaquar dhe mënyra duke pasur parasysh që pas dy ditësh e kemi ndeshjen në Izrael, ka qene një goditje ndaj ekipit. Nuk jemi kundër drejtësisë, por vetëm të behët në përputhje me ligjin”, ka thënë Hodaj.

“Ne jemi njoftuar prej lojtarëve qe kane pasur shqetësime derisa ishin në grumbullim dhe kjo nuk është mirë, gjë që do ta adresojmë në organet e drejtësisë. Federata ne bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n do të jemi më transparent dhe bashkëpunues. Do të bashkëpunojmë me organet e drejtësisë si gjithmonë, besojmë ne drejtësi dhe besojmë se gjykata do ta konfirmoje lirimin e tij prej të gjitha akuzave”.