Sport

Krasniqi vlerëson se mund të luajë në çdo ligë evropiane

Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, ka treguar se ka refuzuar ofertën e ekipit nga Bundesliga, Hoffenheim, për t’iu bashkuar Clujit të Rumanisë. Ai ka thënë se zgjodhi Clujin për shkak të trajnerit Dan Petrescu, të cilin e vlerëson si më të mirin në futbollin rumun.

Krasniqi në fillim të këtij viti iu bashkua Clujit nga Ballkani i Suharekës dhe po vlerësohet ndër lojtarët më të mirë të ekipit rumun, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026.

“Interesimi i Clujit ishte shumë më i madh dhe po ashtu trajneri Dan Petrescu me ka kërkuar me ngulm, gjë që bëri të mos mendoj shumë kur e mora ofertën. Jam i lumtur që po stërvitem nga njëri prej trajnerëve më të mirë të Rumanisë, i cili gjithashtu si lojtar ka qenë ndër më të mirët”, ka thënë Krasniqi në një intervistë të mërkurën për “ProSport”.

Ai ka thënë se ka besuar se do të përshtatej shpejt në futbollin e Rumanisë. Krasniqi aktualisht po impresionon me paraqitjet e tij. Në nëntë ndeshje të luajtura në kampionatin rumun, 24-vjeçari ka shënuar katër gola dhe ka bërë një asistim. Krasniqi ka shtuar se është zhvilluar më shumë si lojtar prej transferimit te Cluji, duke e vlerësuar nivelin e kampionatit të Rumanisë më të lartë sesa të Kosovës.

“Është e vërtetë se jam përshtatur shpejt. Të gjithë në klub me kanë pritur mirë dhe me kanë ndihmuar në të gjitha aspektet. Mendimi im është se niveli i futbollit në Rumani është më i lartë se ai në Kosovë”, është shprehur Krasniqi.

Paraqitjet e mira te Cluji si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Konferencës kanë bërë që shumë skuadrat të Evropës të shprehin interesim për transferimin e Krasniqit në verë. Duke e parë këtë interesim te Cluji tashmë kanë caktuar çmimin prej pesë milionë eurosh për ta lënë të lirë kosovarin. Pavarësisht interesimit, Krasniqi ka thënë se është i fokusuar për ta dhënë më të mirën deri në fund të kampionatit për Clujin.

“Nuk është në kompetencat e mia të flas për shumën e caktuar nga klubi, pasi detyra ime është të luaj sa më mirë që mundem për Clujin. Dhe, nëse me duhet të largohet, atëherë janë drejtuesit ata që vendosin duke zgjedhur ofertën më të mirë”, ka thënë Krasniqi. “Mirëpo fokusi im është te Cluji dhe do të jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar ekipin në secilën ndeshje që të arrij synimet. Sigurisht që interesimi i klubeve tjera më bën të lumtur dhe të gjitha ofertat padyshim se do t’i shqyrtoj”.

Në të vërtetë është ekipi i madh nga Italia, Lazio, që po insiston në sigurimin e shërbimeve të Krasniqit. Trajneri Maurizio Sarri ka pasur vetëm fjalë të mira për sulmuesin e krahut pas dy përballjeve që Lazio i pati në plejofin e Ligës së Konferencës me Clujin. Krasniqi ndihet mirë për fjalët e trajnerit italian, por shton se ende nuk e ka shfaqur gjithë potencialin. Sulmuesi anësor insiston se mund të luajë pa problem në secilin kampionat të Evropës.

“Jam i lumtur që trajneri i Lazios më ka përgëzuar. Kjo më bën të ndihem i nderuar, por unë vazhdoj të mbetem modest dhe mendoj se ende nuk i kam treguar të gjitha cilësitë e mia. Unë punoj çdo ditë për t’u përmirësuar më shumë dhe vëmendja e trajnerit Sarri më motivon edhe më shumë”, është shprehur Krasniqi. “Mendoj se mund ta përballoj çdo kampionat në Evropë, por për momentin po mendoj vetëm për zhvillimin tim të mëtejmë te Cluji”.