Sport

Ibrahimoviqi kthehet te Suedia, por nuk mendon për Evropianin

Tërheqja nga futbolli aktiv nuk ishte fare opsion në mendimet e Zlatan Ibrahimoviqit, ndërsa sulmuesi ishte jashtë fushës për tetë muaj me një ënjtje të gjurit të majtë pas operacionit.

Por gjendja e gjurit sigurisht që e shqetësoi shumë futbollistin nga Suedia.

“Nuk erdha në një situatë ku të thosha se duhet të ndaloj”, tha Ibrahimoviq të martën. “Më shumë mendoja se ishte i pashpresë kthimi. Çfarëdo që bëra, nuk mora reagime pozitive. Provova gjithçka”.

Prioritet për sulmuesin e skuadrës së Milanit shpejt u bë thjesht kthimi në gjendjen normale të shëndetit, në vend të kthimit në një nivel të nevojshëm për të mbajtur gjallë karrierën e mbushur me trofe. Fakti që Ibrahimoviqi është kthyer dhe në moshën 41-vjeçare është në pozitë për të luajtur për Përfaqësuesen e Suedisë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian, është dëshmi e besimit të tij në aftësitë personale. Të shtunën e shkuar ai u bë golashënuesi më i vjetër në historinë e Serie A dhe tani shpreson të ketë mundësinë për të luajtur në ndeshjen e Suedisë kundër Belgjikës, të premten. Do të ishte paraqitja e parë e tij në përfaqësuese pas gati një viti. Nëse luan, Ibra do ta thyej rekordin e vendosur nga portieri italian Dino Zoff, i cili në moshën 40 vjet e 90 ditë, u paraqit në një ndeshje kualifikuese në vitin 1983.

“Unë nuk jam te Milani apo këtu te Suedia për bamirësi”, tha Ibrahimoviq në një konferencë shtypi në bazën stërvitore të Suedisë. “Unë jam këtu për të luajtur lojën time, për të ofruar dhe për të sjellë rezultate përmes paraqitjeve të mia. Pra, shpresoj se mund të vazhdoj ta bëj këtë dhe në të njëjtën kohë të ndihem i shëndetshëm”.

Duke pasur parasysh periudhën e fundit të pushimit të Ibrahimoviqit - ndeshja kundër Udineses fundjavën e shkuar shënoi startin e tij të parë që nga janari i vitit të kaluar, pasi kishte operuar gjurin në maj - ai nuk është i përgatitur të diskutojë se edhe sa kohë i ka mbetur në karrierë.

Ibra sigurisht nuk po mendon as për “Euro 2024” që do të mbahet në Gjermani.

“Unë shkoj ditë pas dite dhe nuk mendoj shumë larg. Nëse ndihem mirë dhe zgjidhem nga trajneri, do ta ndihmoj atë, skuadrën dhe vendin të bëjnë më të mirën”, u shpreh Ibra. “Unë mendoj se në moshën time askush nuk mendon për të ardhmen. Duhet të mendoni për të tashmen. Edhe nëse jam e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”.

Suedia luan edhe me Azerbajxhanin në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm, gjatë pushimit ndërkombëtar. Ibrahimoviqi, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve te Suedia dhe ndoshta lojtari i saj më i mirë ndonjëherë, nuk ka gjasa të jetë titullar për ekipin. Ai e sheh veten në ditët e sotme më shumë si një mentor i lojtarëve më të rinj në skuadër.

“Unë këtë ua bëra me dije në stërvitjen e parë, pasi të gjithë mendojnë se jam budalla dhe besoj se do të jem titullar. Unë jam këtu për t’i ndihmuar lojtarët e rinj me përvojën time. Po ashtu, nëse më jepet rasti për të luajtur, do ta bëjë dhe do të përpiqem të jap më të mirën. Dua të jem shembull i të rinjve pasi ata duhet të shijojnë Evropianin. Sa i përket Evropianit, nuk po mendoj për këtë turne, sepse është larg”, u shpreh Ibrahimoviq. “Ibra është këtu për të ndihmuar në çdo aspekt, qoftë edhe si mentor i të tjerëve, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”.

Ai është pjesë e Përfaqësueses së Suedisë prej janarit të vitit 2001 dhe deri më tani ka shënuar 62 gola në 121 paraqitje. Sa i përket karrierës në nivel klubesh, Ibrahimoviqi ka luajtur për skuadrat më të mëdha të Evropës. Para Milanit ai ka bartur edhe fanellën e Manchester Unitedit, Paris Saint-Germainit, Barcelonas, Interit, Juventusit e Ajaxit. Me të gjitha këto ekipe ka fituar trofe.