Sport

Kompletohet përfaqësuesja, Muriqi beson në kualifikim

Të martën paradite në kampin nacional të FFK-së në Hajvali, përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese të “Euro 2024” kundër Izraelit. Për dallim prej stërvitjes së parë të mbajtur të hënën, në stërvitjen e dytë selektori Alain Giresse kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e ftuar. Të hënën ishin të pranishëm 11 lojtarë në stërvitje, ndërsa të martën ushtruan të gjithë 25 futbollistët.

Atmosfera brenda ekipit dukej e mirë, ndërsa selektori Giresse ka shpalosur idetë e tij për duelin kundër Izraelit, që zhvillohet të shtunën në Tel Aviv. Dëshira për ta nisur mbarë ciklin kualifikues është e madhe te lojtarët.

Sulmuesi Vedat Muriqi, pasi u bashkua me përfaqësuese, është shprehur optimist para udhëtimit për në Izrael. Muriqi po paraqitet me sukses në La Liga, ndërsa pritjet prej tij janë të mëdha.

Ai ka vlerësuar se Izraeli dhe Zvicra mbeten rivalët më të mëdhenj të Kosovës në Grupin I.

“Jemi duke u përgatitur me optimizëm prej ditës së parë. Jemi me fat që kemi lojtarë në formë. Grupi ynë nuk është i lehtë por kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Gjithsesi nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por këtë duhet ta bëjmë edhe me punë brenda dhe jashtë fushës. Mendoj që kemi kualitet për dy pozitat e para që na e sigurojnë kualifikimin në Evropian. Me përkrahjen e tifozëve dhe të shtetit tonë, besoj se me shokët e mi brenda fushës do t’ia arrijmë qëllimit dhe do ta bëjmë historinë bashkë. Shumica e lojtarëve janë që kanë shumë minutazh në ekipet e tyre dhe janë në formë të shkëlqyeshme, prandaj sigurisht që kjo do të vërehet që nga ndeshja e parë. Normalisht duhet edhe pak fat, por do të shkojmë në Izrael për fitore”, ka thënë lideri i sulmit të Kosovës.

Sipas Muriqit, fitorja në Tel Aviv nuk do të ishte befasi.

“Izraeli së bashku me Zvicrën janë rivalët më të fortë në grup dhe që parashikohet ta kalojnë grupin. Por, ne do të shkojmë atje ta bëjmë surprizën. Kur them surprizën e them në aspektin medial, ngase për ne nëse fitojmë atje nuk është surprizë. Ne shkojmë për fitore, pasi synojmë t’i fillojmë mbarë kualifikimet. Me këtë kualitet që kemi, besoj se do të arrijmë diçka që e kemi pritur për shumë vite. Na ka marrë malli për tifozët tanë ‘Dardanët’, të cilët na përkrahin anë e mbanë botës pa marrë parasysh se ku jemi. Dua që ata vetëm të kenë durim dhe të na përkrahin si gjithmonë”, u shpreh Muriqi.

Edhe mesfushori Florent Muslija i ka synimet e mëdha në këtë cikël kualifikues. Sipas tij, Kosova ka gjasa të mira për t’u kualifikuar në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Muslija ka thënë se fokusi tash për tash është te përballja me Izraelin.

“Pres shumë nga ky cikël kualifikues. Mendoj se i kemi mundësitë shumë të mira për të arritur në Evropian. E kemi ekipin shumë të fortë dhe shpresoj se do të arrijmë maksimumin. Atmosfera është fantastike dhe sigurisht se të gjithë jemi të lumtur që jemi këtu. Shpresoj se do të arrijmë të tregojmë veten për vendin tonë. Kundër Izraelit pres një ndeshje shumë të mirë dhe jam optimist se do ta fitojmë ndeshjen sepse e kemi kualitetin. I falënderoj të gjithë ata që po na përkrahin dhe shpresoj se do t’i sjellim pikët e plota në Kosovë”, është shprehur Muslija.

Të mërkurën përfaqësuesja do t’i ketë dy stërvitje. Të parën do ta mbajë paradite në kampin nacional në Hajvali, ndërsa të dytën në stadiumin “Fadil Vokrri”, pasdite.

Tri ditë pas duelit me Izraelin, Kosova e pret Përfaqësuesen e Andorrës. Krahas Izraelit e Andorrës, “Dardanët” në këto kualifikime do të përballen edhe me Zvicrën, Bjellorusinë e Rumaninë.