Ish-futbollisti serb i Dinamo Zagrebit, Komnen Andriq, ka kërkuar nga klubi i madh kroat që ta pensionojë fanellën me numrin pesë në nderim të legjendës shqiptare, Arijan Ademi, që pas shumë vjetësh në kryeqendrën kroate do ta vazhdojë karrierën në Kinë.
Në fundjavë, Ademi u përshëndet me porosi të veçanta nga kroatët. Në stadium tifozët e Dinamos shpalosën fotografinë e Ademit dhe shkrimin “373 herë zemrën në terren – kapiten faleminderit për të gjitha”. Dinamo fitoi 1:0 në derbi ndaj Rijekës, ndërsa Ademi u zëvendësua në minutën e 85-të për t’iu dhënë lamtumira e merituar.
Në mesin e shumë lojtarëve që e kanë nderuar Ademin, ka qenë edhe ish-sulmuesi serb i Dinamos, që gjatë verës kaloi te Clermonti, Komnen Andriq.
Ai ka kërkuar që në nderim të Ademit të pensionohet fanella me numrin 5.
“Pensiononi numrin 5 për hir të respektit!!! 21 trofe!!! S’di as si t’ia nis... legjendë!” ka shkruar ai në hyrjen e një postimi të gjatë në rrjete sociale. “I ndershëm, i zemëruar, i sinqertë deri në palcë, i pakorruptueshëm, i palëkundur, autoritar, luftarak deri në atomin e fundit, vëlla, mik, këshilltar... janë vetëm disa nga cilësitë që i ke. Kam luajtur me kaq shumë futbollistë, shumë prej tyre janë të mrekullueshëm dhe sot ata luajnë në klubet më të mira, por kurrë nuk kam takuar dikë si ti në karrierën time!”