Sport

Gjermania mbetet pa Musialan për miqësoret e marsit

Descriptive Text

Mesfushori Jamal Musiala nuk do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Gjermanisë për ndeshjet miqësore të këtij muaji, me Perunë dhe Belgjikën.

Ai do të mungojë për shkak të lëndimit të muskulit të këmbës së majtë, të cilin e pësoi në fund të ndeshjes ndaj Bayer Leverkusenit, të cilën Bayerni e humbi 2:1.

“Të gjithë kemi shpresuar se Jamali do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje për shkak se është një lojtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë selektori i Gjermanisë, Hansi Flick të hënën.

Krahas Musialas, Gjermanisë për këto ndeshje do t’i mungojë edhe mbrojtësi i Southamptonit, Armel Bella-Kotchap për shkak të lëndimit të krahut. Ky i fundit, do të zëvendësohet nga mbrojtësi i Milanit, Malick Thiaw, që tashmë është ftuar nga trajneri Flick.

Thiaw nuk ka qenë kurrë më përpara pjesë e Gjermanisë dhe është njëri prej gjashtë lojtarëve që për herë të parë janë ftuar në përfaqësuese. Gjermania të shtunën luan me Perunë, ndërsa tri ditë më vonë përballet me Belgjikën. Të dyja ndeshjet, zhvillohen në Gjermani.