Sport

Presidenti i Federatës zvicerane i del në mbrojtje Xhakës për fanellën “Jashari”

Descriptive Text

Festa e Granit Xhakës me fanellën e Ardon Jasharit pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë vazhdon të jetë temë. Lidhur me atë festë që ndodhi në Botërorin e vitit të kaluar në Katar, së fundi ka folur presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc.

Blanc ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën e madhe zvicerane “Blick” dhe është pyetur për festën e Xhakës.

Kapiteni i Zvicrës kishte veshur fanellën e Jasharit pas fitores ndaj Serbisë. Nga serbët kjo ishte vlerësuar provokim, ndërsa ka pasur reagime për e kundër edhe në Zvicër.

“Së pari duhet të thuhet se çdo gjë që bën apo nuk bën kapiteni ynë ekzagjerohet jashtëzakonisht shumë në media. Është vështirë të kuptohet se çka shkon në mendjen e lojtarëve tanë me rrënjë nga Kosova, prindërit e të cilëve ishin viktima të luftës. Por duhet ta kuptojmë këtë. Ndonëse kemi bërë çdo gjë para ndeshjes me Serbinë që të sigurohemi se kishte të bënte vetëm me futbollin, megjithatë ka pasur shumë tension. Granit Xhaka ka shpjeguar veprimin e tij pas ndeshjes dhe është e panevojshme të shtojmë diçka më shumë”, ka thënë Blanc.

Gazetari i “Blick” ka vazhduar me të njëjtën temë duke komentuar se edhe shqiptarët në Zvicër kanë thënë se veprimi i Xhakës ishte politik.

“Shikoni, ne kemi 186 nacionalitete në Federatën e Futbollit të Zvicër. Kemi vlera që janë shumë të rëndësishme për ne. Por nëse fillojmë të komentojmë për veprime që mund të kenë qëllime politike, atëherë kjo nuk do të ndalet. FIFA ka inicuar një hetim, por nuk e ka parë këtë gjë si veprim politik dhe nuk na ka dënuar neve apo Granitin”, ka theksuar kryetari i federatës zvicerane të futbollit.

Zvicra pas dy javësh luan me Bjellorusinë në Novi Sad. Bjellorusia ka vendosur që ndeshjen ta organizojë në Serbi, pasi nuk mund të luajë në territorin e saj për ndihmën ndaj Rusisë në pushtimin e Ukrainës.

Ka pasur kundërshtime të shumta që ndeshja të organizohet në Serbi.

“Kemi folur me UEFA-n shumë herë. Por Bjellorusia e ka të drejtën e vendimit se ku do të luaj si vendase, pasi i është ndaluar të luajë në shtëpi për arsye sigurie. Sipas UEFA-s, nuk ka rrezik nëse luajmë në Serbi, sidomos pasi ndeshja luhet pa shikues”, ka theksuar Blanc.

Ai vlerëson se nuk do të ketë telashe të sigurisë për përfaqësuesen e Zvicrës.

Ndërkohë, udhëheqësi i futbollit zviceran ka folur edhe për ndeshjet me Kosovën, që u takojnë po ashtu kualifikimeve për Euro 2024.

“Për mua, ndeshjet ndaj Kosovës janë duele mes miqve. Kemi komunitet të madh kosovar në vendin tonë. Është komunitet i integruar shumë mirë dhe kemi disa lojtarë reprezentues me rrënjë nga Kosova. Kemi raporte të mira me Kosovën në të gjitha nivelet. Për këtë arsye, të dyja ndeshjet janë edhe festive për mua, përkundër rëndësisë sportive”, ka theksuar Blanc.

Blanc është takuar me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi në Kigali të Ruandës, ku do të mbahet Kongresi i FIFA-s. Sipas FFK-së, Ademi e ka falenderuar Blancun për vlerësimin ndaj Federatës kosovare dhe për kujdesin ndaj përfaqësueses së Kosovës. Ademi ka shprehur shpresën që Kosova e Zvicra të kualifikohen së bashku në Euro 2024.