Sport

Krasniqi i gatshëm për kthim triumfal në ring

Boksieri kosovar, Haxhi (Robin) Krasniqi nuk ka boksuar prej 9 tetorit të vitit 2021. Por mungesa e gjatë në ring nuk pritet të paraqet problem për boksierin me përvojë.

Krasniqi bokson të shtunën mbrëma në Munich të Gjermanisë, në një meç prej dhjetë raundesh me Timur Nikarkhoevin. Meçi nuk është për ndonjë titull.

Krasniqi ishte mposhtur në një meç shumë diskutabil nga gjermani Dominic Boesel në tetor të vitit 2021. Meçi ishte për titullin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë. Krasniqi dhe ekipi i tij kohë të gjatë ishin munduar të anulonin rezultatin e atij dueli, por pa sukses.

Boeselin e kishte mposhtur më 10 tetor 2020, në meçin për titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë, si dhe në versionin IBO, që nuk është prej më të mëdhenjve në boksin profesionist. Ndërkohë, titulli i përkohshëm i botës në ËBA u shua, në kohën sa Krasniqi e kishte në pronësi.

Robin Krasniqi ka boksuar dy herë për titull të botës në versionet e mëdha, ndërsa ka mbajtur kohë të gjatë titullin e Evropës. Është prej boksierëve më të mirë shqiptarë në histori.

Ai synon të kthehet sërish te luftërat për titull të botës, ndërsa rezultati i duelit ndaj Nikarkhoevit do të jetë i rëndësishëm.

Legjenda gjermane, Juergen Braehmer, ka përgatitur Krasniqin për duelin e së shtunës. Braehmer kishe mposhtur junikasin në të kaluarën.

“Robini është në disponim të shkëlqyer. Nëse implementon konceptin e stërvitjes në duel, asgjë nuk mund ta befasojë. Është përgatitje për duelin për titull të botës”, ka thënë Braehmer.

Krasniqi pritet të ketë përkrahje të madhe të shikuesve. Biletat për ngjarjen thuajse janë shitur. Krasniqi ka mbajtur një seancë të hapur stërvitore, ndërsa është bërë edhe matja zyrtare.

51 fitore e shtatë humbje është bilanci i 35-vjeçarit.

Timur Nikarkhoev është nga Rusia, ndërsa jeton në Belgjikë. 29-vjeçari ka bilanc prej 26 fitore e katër humbje. Është në seri prej katër fitoreve, të gjitha me pikë, pas gjashtë rundeve.

Në mbrëmjen në Munich boksojnë edhe shqiptarë të tjerë si Shefat Isufi, Valon Ahmeti, Kushtrim Tahirukaj e Musa Avdimetaj.