Sport

Llapi mundohet t'i lërë prapa akuzat, thotë se fokusin e ka te ndeshja me Prishtinën

Descriptive Text

Skuadra e Llapit ka reaguar nëpërmjet një postimi tjetër në Facebook, por këtë herë me fokusin e kthyer kah ndeshja e radhës që e luan në Superligën e Kosovës. Llapi, të dielën e pret Prishtinën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kuadër të xhiros së 22-të.

Në postim, Llapi ka thënë se ky është një derbi ndërmjet dy skuadrave që synojnë daljen në Evropë, duke shtuar se ekipi është maksimalisht i motivuar.

Arrestimet për kurdisje në Francë që tronditën futbollin kosovar

 

“Skuadra edhe më e motivuar për përballjen me Prishtinën. Të dielën, të gjitha rrugët kanë vetëm një destinacion, stadiumin ‘Zahir Pajaziti’, aty ku pritet të zhvillohet super derbi ndërmjet dy skuadrave pretendente për dalje në Evropë, Llapit dhe Prishtinës. Skuadra e Llapit pas katër fitoreve rresht në edicionin pranveror, pret mbështetje të fuqishme nga gjithë tifozët llapjanë dhe ‘Ultras Legjendat’ që të vazhdojmë serinë pozitive të rezultateve”, ka shkruar Llapi, ku ka kërkuar mbështetje të madhe nga tifozët.

“Të bashkuar, ta mbështesim njëri-tjetrin dhe të ecim para në rrugën tonë të përbashkët drejt sukseseve”, thuhet në postimit e klubit podujevas të premten.

Llapi është përfshirë në skandalin e kurdisjes së rezultateve në Superligën e Kosovës, ku mediumet franceze raportuan se autoritetet e këtij vendi kishin arrestuar nëntë persona që kishin përfituar qindra mijëra euro. Ekipi nga Podujeva ka mohuar gjithçka dhe ka thënë se në këtë mënyrë po mundohet të prishet imazhi i klubit.