Sport

Trepça e Prishtina mbështeten te përkrahja e tifozëve për triumf në finale të Kupës

Rrugë dukshëm më të lehtë drejt finales së Kupës së Kosovës pati skuadra e Trepçës. Trepça në “Final 8” të kësaj gare, eliminoi Vëllaznimin e Rahovecin. Por në finalen e madhe që zhvillohet të dielën në Rahovec, Trepça do ta ketë testin më të vështirë. Ballafaqohet me Sigal Prishtinën, 15-të herë fituesen e këtij trofeu. Për herë të fundit, “bardhekaltrit” kishin triumfuar në Kupë në edicionin 2020/21.

Ndeshja Trepça – Sigal Prishtina nis në orën 17:00 dhe luhet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, që ishte nikoqir i Kupës në këtë edicion.

Ndryshe nga xehetarët, Sigal Prishtina e drejtuar nga trajneri turk, Ahmet Kandemir, fitoi përballë Bashkimit të Prizrenit, ndërsa e eliminoi edhe Golden Eagle Yllin e Suharekës, kampionin në fuqi të Superligës së basketbollit kosovar.

Trepça që është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës, synon që ta mbrojë trofeun.

Dhe besim të plotë në suksesin e dytë rresht dhe të gjashtin në total, ka trajneri i skuadrës mitrovicase, Engin Gençoglu.

Trajneri turk, Gençoglu, theksoi të shtunën për KOHËN se skuadra është e përgatitur për testin më të vështirë në këtë garë sivjet. Por, ka besim të plotë te basketbollistët që ai i drejton.

“Besojmë se do ta fitojmë Kupën edhe pse nuk do të jetë lehtë sepse është vetëm një ndeshje dhe përballemi me Prishtinën. E kemi parasysh se Prishtina ka ekip të mirë, por edhe ne jemi ekip i mirë. Pres një lojë të fortë dhe sigurisht fitoren tonë, pasi duam ta mbrojmë trofeun e fituar vitin e shkuar. Po ashtu, jemi të motivuar sepse kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë që janë shumë të rëndësishëm për ne”, tha Gençoglu.

Një numër i madh i tifozëve të Trepçës “Torcida”, dhe “Plisat” e Sigal Prishtinës, pritet të jenë të pranishëm në palestrën “Mizahir Isma”.

E mbështetje të madhe nga tifozët e skuadrës “Plisat”, pret edhe Dardan Berisha, njëri prej më të mirëve te Sigal Prishtina.

Berisha shpreson që ta rikthejë Kupën e Kosovës në kryeqytet, por ka treguar respekt për skuadrën mitrovicase.

“Do të jetë lojë shumë e vështirë, njësoj si çdo finale tjetër. Por unë shpresoj dhe kam besimin se ne do të bëjmë lojë të mirë. Uroj që të ketë edhe atmosferë të mirë e të zjarrtë në palestër. Padyshim që do të jetë lojë shumë e fortë për shkak se do të luajnë dy skuadrat më të mira këtë vit”, ka thënë Berisha.

Berisha me bashkëlojtarë në dhjetor të vitit të kaluar, e kishin mposhtur skuadrën e Trepçës në finalen e Superkupës së Kosovës.

Ajo ndeshje kishte mbetur në hije të incidenteve të rënda në Pallatin e Sporteve në Prishtinë. Prishtina kishte triumfuar 73:54.

Në ligë këtë edicion skuadrat janë takuar tri herë.

Bilanc më të mirë kanë kryeqytetasit me dy fitore, ndërsa një tjetër e ka fituar Trepça.

Nga ora 14:00 në “Mizahir Isma” të shtunën luhet edhe finalja e konkurrencës së femrave.

Në finale të Kupës së Kosovës luajnë Prishtina dhe Bashkimi.

Bashkimi është gjashtë herë fituese e Kupës së Kosovës. Triumfoi edhe në edicionin e kaluar.

Prishtina nga ana tjetër ka 12 kupa të Kosovës.