Sport

Prishtina kërkon përsëritjen e ndeshjes ndaj Dukagjinit

Klubi i futbollit Prishtina do të kërkoj nga Komisioni i Garave i FFK-së që të përsëritet ndeshja me Dukagjinin. Kështu ka thënë të dielën për KOHËN drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani. Osmani ka vlerësuar se Prishtina është dëmtuar rëndë në ndeshjen ndaj Dukagjinit.

Dukagjini fitoi 1:0 në Klinë me gol diskutabil në fund të pjesës së parë. “Goli u dha pasi u ndërpre ndeshja dhe ne jemi duke përgatitur ankesën që do t’ia drejtojmë Komisionit të Garave ku do të kërkojmë përsëritje të ndeshjes, sepse janë thyer rregullat esenciale të lojës.

Varësisht nga përgjigja konsiderojmë shkallën e dytë që është Komiteti Ekzekutiv për masa tjera të parapara sipas rregullores”, ka thënë Osmani. Mërgim Pefqeli i Prishtinës realizoi autogol, ndërsa më pas shifrat nuk ndryshuan.

Në fakt, pas një goditjeje nga këndi, arbitri Mentor Ajeti ka dhënë shenjë për faull në zonë në të mirë të Prishtinës dhe ka bërë me dorë kah porta e Dukagjinit. Ndërkohë topi arriti te Pefqeli, që e devijoi për ta dërguar në portën e tij. Por pasoi momenti diskutabil. Pas rishikimit të gjatë të situatës në VAR, arbitri Ajeti ka dhënë shenjë për gol në të mirë të Dukagjinit.